Një ngjarje e rëndë është shënuar ditën e sotme në ambientet e jashtme të qendrës tregtare Megatek në Tiranë, ku ha humbur jetën një punonjës 32-vjeçar.
Sipas informacioneve paraprake, 32-vjeçari është goditur nga një mjet pune (pirun) dhe ka marrë plagë të rënda. Ai është transportuar në spital por fatkeqësisht ka ndërruar jetë.
Vetëm pak muaj më parë, në Megatek u aksidentuan dy fëmijë të mitur, E. Alla 16 vjeç dhe K. Dusha 17 vjeç.
Ngjarja në atë kohë nuk u raportua nga autoritetet.
Informacion paraprak nga policia:
Paraditen e sotme, në ambientet e jashtme të një qendre tregtare, dyshohet se shtetasi L. D., 32 vjeç, punonjës i kësaj qendre tregtare, është dëmtuar aksidentalisht nga një mjet pune (pirun) që drejtohej nga shtetasi E. D., 61 vjeç.
Shtetasi L. D. është dërguar në Spitalin e Traumës dhe pas disa orësh ka ndërruar jetë, për shkak të plagëve të marra.
Shtetasi E. D. është shoqëruar në Komisariat, për kryerjen e veprimeve procedurale.
Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.