Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë këtë të shtunë disa akuza të tmerrshme ndaj ambasadores së SHBA Yuri Kim, duke aluduar se ajo është në shërbim të rusëve. Berisha theksoi se Yuri Kim e ka me shkrim shkatërrimin e PD-së.
“Ne jemi mbledhur këtu për të diskutuar për situatën e krijuar. Sot pasdite mblidhet grupi parlamentar. Nesër do mblidhen kandidatët dhe në darkë Këshilli Kombëtar. Vendimet janë të një rëndësie të jashtëzakonshme.Cilat do jenë qëndrimet tona para këtij akti të turpshëm. Akt ekstrem armiqësor ndaj nesh. Nga një mafie që nuk ka asnjë parim. Që nuk respekton asnjë ligj.
McGonigalët dhe Edi Rama, me kombinacionet e tyre morën peng Lulzim Bashën. A është vetëm kjo? Jo. E ka me shkrim guvernatorja: Që do shkatërrohet PD-ja.
Kur ajo bënte presione të jashtëzakonshme për të realizuar qëllimet, shkatërrimin e opozitës. Qëllimi i saj ishte të mbante Lulzim Bashën, njeriun e financuar nga rusët, në krye të PD-së. Ky ishte qëllimi!
Dhe vazhdohet më tej, haptas deklaroi se nuk ka rëndësi kush voton dhe si voton, ka rëndësi kë emëron ajo kryetar. Pasi iku Lul Brava, u përqendrua te AliBasha. I cili ju siguroj se pas ditës se djeshme, nuk ka as 10 vetë pas vetes,” tha Berisha.
“Përsëri kthehem te një moment.
Nëse PD ka mbajtur qëndrimet e duhura ndaj McGonigal dhe McGonigalit me fustan, asgjë nuk mund të nxisë te ne, nuk mund të rezonojë ndjenjat tona pro-amerikane, admirimin që kemi ne për vendin e madh të lirisë, partnerit kryesor.
Edi Rama e merr si mburojë Amerikën për të fshehur korruptimin që i bëri McGonigal në aktin më të pabesë, më të turpshëm, në një akt urrejtje ndaj SHBA. Thotë se SHBA nuk mund të korruptohen. SHBA nuk korruptohen, por korruptohet McGonigali nga kryekorruptori i Shqipërisë dhe rajonit. Korruptohet guvernatorja, nuk përfaqëson ajo diplomacinë amerikane, që është diplomacia lider.
Asnjë lloj insinuate nuk mund të ketë. Ne do bëjmë gjithçka, të komunikojmë, të paraqesim të vërtetat tona në administratën e SHBA, Kongresin e SHBA. Sikundër ne do mbrojmë të drejtën, demokracinë në mënyrën më absolute në vendin tonë”, theksoi Berisha.