Deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku i bën thirrje kolegëve të grupit të Rithemelimit që të bashkohen për zgjedhjet e 14 majit duke dalë me kandidatë të përbashkët.
Në një intervistë për “Panorama TV”, Çollaku shprehet se nuk ka asgjë të keqe nëse kandidatët e “Primareve” të garojnë nën siglën e PD-së zyrtare.
Deputeti demokrat propozon që pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, të dy grupimet e PD-së të organizojnë një Kuvend tjetër për zgjedhjen e strukturave të demokratëve.
Pyetje: A ka pasur negociata të mëparshme mes Bardhit dhe Palokës?
Çollaku: Unë kam pasur dijeni se ka pasur negociata. Ka qenë e njëjta dëshirë. Asokohe ka qenë ende konteksti i pazgjidhur. Legjitimitetin zyrtar e ka statuti i 18 dhjetorit. Kjo s’na pengon që edhe ajo lloj fryme për të dalë bashkë mund të prodhohet. Nëse në rastin e parë, ajo marrëveshje u prish, kur Berisha pati si kusht njohjen e statutit të Rithemelimit, këtë rast nuk e kemi. Mbi statutin sot nuk e caktojmë dot. Sot ky problem ka rënë. Asgjë se pengon. Statutet nuk janë të shkruar në gurë. Mund të mblidhet një Kuvend tjetër për të përcaktuar strukturat.
Këto bisedime janë ndërprerë janë dy muaj më parë. Nuk e di nëse kanë negociuar deri një javë më parë. Propozimi është ky, të bashkohemi me një kandidat, të gjithë të kandidojnë nën siglën e PD-së. Ku ka pasur probleme brenda Primareve, të zgjidhen me konsensus. Më pas për problemet brenda PD-së, të organizojmë një kongres tjetër për të zgjedhur strukturat e reja të përbashkëta, me listat.
Kujtojmë se më herët, të njëjtin propozim pati edhe deputeti Dashnor Sula. Ai në reagimin e tij u shpreh se kandidatët e dalë nga primaret e Berishës, të regjistrohen në KQZ për zgjedhjet e 14 Majit, vetëm me logon e PD-së, me ndonjë ndryshim emri aty ku mendohet se është më mirë.
Ai propozon më tej që pasi të jetë marrë ky vendim, pas zgjedhjeve të 14 Majit, PD të futet në zgjedhje dhe në strukturim të brendshëm, duke zgjedhur nga funksionarët më të thjeshtë, tek kryetarët e seksioneve dhe grupseksioneve, kryetarët e degëve, e deri tek kryetari i ri i PD-së.