Kur Faik Konica akuzonte Avni Rustemin si killer

Në dhjetor 1920, Avni Rustemi u kthye në Shqipëri dhe u përpoq të bashkonte shoqëritë e ndryshme. Pë bashkimin e tyre, më 25-28 prill 1921, në Vlorë, u mbajt një kongres, i cili krijoi Federatën “Atdheu”. Kryetar nderi i saj u zgjodh Avni Rustemi. Për këtë federatë deputetët miratuan edhe një ndihmë financiare. Federata kishte qëllim depërtimin tek nëpunësit e shtetit dhe kapjen e pushtetit në rrugë antikushtetuese.

Federata bëri përpjekje që degët e saj t`i shtrinte edhe në diasporën shqiptare në ShBA. Kryetari i saj Kol Tromara i shkroi shumë miqve të tij, por të gjitha përpjekjet dështuan për shkak se anëtarët e kësaj organizate ishin deklaruar kundër “Vatrës”. Për këtë arsye, drejtuesit e saj i propozuan “Vatrës” një “marrëveshje vëllazërore” dhe bashkëpunim mes dy federatave. Por diaspora shqiptare e Amerikës nuk pranoi.

Në shtator 1921 u kthye në ShBA Faik Konica, i cili mori kryesinë e “Vatrës”. Ai konstatoi korrespondencën me Federatën “Atdheu” dhe nisi një investigim për aktivitetin politik dhe qëllimet e kësaj shoqërie. Pak kohë më parë Konica kishte qenë i pari personalitet që kishte denoncuar publikisht në parlament Avni Rustemin si “assassino” (vrasës).

Në një artikull që botoi në gazetën “Dielli”, Konica rreshtoi gjashtë pika përse mes Federatës “Vatra” dhe “Atdheu” nuk mund të nënshkruhej një “marrëveshje vëllazërore”. Në pikën e parë ai shkruante se të dy shoqëritë kishin ideale të ndryshme. Federata “Vatra” besonte se një shtet mund të funksiononte vetëm mbi bazën e ligjit, ndërsa Federata “Atdheu” besonte të kundërtën, se vrasja politike ishte diçka patriotike dhe për t’u lavdëruar. Ai akuzonte përpjekjet e Federatës “Atdheu” se, me anën e Kol Tromarës, i cili kishte qenë një nga drejtuesit kryesorë të diasporës në ShBA, ishte përpjekur të vidhte listat e anëtarëve të “Vatrës” për t`i rekrutuar ata në organizatën e tyre. Sipas Konicës thuhej se në Statutin e Federatës “Atdheu” kishte një pikë të fshehtë për vrasjen e kundërshtarëve politikë. Megjithëse ai kishte rezerva për vërtetësinë e kësaj pike, i vinte keq që asnjëherë diçka e tillë nuk ishte përgëgjeshtruar nga drejtuesit e Federatës “Atdheu”, as me fjalë dhe as me vepra.

Për shkak të tendencave antikushtetuese të Federatës “Atdheu” qeveria e Xhaferr Ypit, më 16 gusht 1922, urdhëroi shpërndarjen e saj. Një arsye tjetër ishte abuzimi me financat e kësaj organizate. Nga kontrolli i prefekturës së Vlorës rezultoi se 13.000 franga ari që i kishte dhënë arka e shtetit ishin shpenzuar vetëm për rroga dhe degët e saj nuk kishin bërë asnjë relacion financiar. Kontrollin në degën e Durrësit e zhvilloi gjyqtari Ali Tabaku dhe kryesekretari i prefekturës Mihal Bellkameni, të cilët raportuan shkelje të rënda financiare. Ata iu lutën qeverisë për ta mbyllur këtë shoqëri, për të mos dëmtuar popullin. Në këto kushte, Avni Rustemi, më 13 tetor 1922, themeloi në Tiranë shoqërinë “Bashkimi”. Për këtë ai kishte hyrë në kontakt me diplomatët sovjetikë në Romë. Qëllimi i kësaj shoqërie ishte tërheqja e rinisë në radhët e saj dhe shkatërrimi i klasës politike nëpërmjet metodave terroriste.

Në fjalimin e themelimit të kësaj organizate Avni Rustemi do të deklaroi se anëtarët “Bashkimit” që nuk i bindeshin urdhërave për detyrat e ngarkuara do t`i nënshtroheshin penaliteteve respektive. Përpjekja për vrasjen e kryeministrit, në sallën e Kuvendit Kushtetues, nëpërmjet Beqir Valterit, më 23 shkurt 1924, si dhe dhënia me zor deputetëve të opozitës vaj recini në rrugët e kryeqytetit ishin disa nga praktikat terroriste të anëtarëve të Federatës “Atdheu” dhe transformimit të saj më pas në organizatën “Bashkimi”.

Duhet theksuar se jo të gjith të rinjtë e shkolluar në këto organizata ishin implikuar në veprimtari antikushtetuese. Prandaj, në vijim, ata do të mbajnë detyra të larta shtetërore, siç ishte Fuad Asllani, i cili do të bëhet ministër i Jashtëm etj.

Hasan Bello, historian

Latest articles

Related articles