“Adoleshentët po përdoren si skllevër seksi në kampet e ISIS për të shtuar popullsinë”

Adoleshentë të moshës 13 apo 14 vjeç kanë pohuar se janë detyruar të kryenin marrëdhënie seksuale me gratë e luftëtarëve të ISIS në kampet e al-Hol dhe al-Roj në Siri, aty ku ka ende shtetas shqiptarë, mes të cilëve edhe të mitur.

Dy të mitur janë shprehur për Daily Beast se janë detyruar të kryenin marrëdhënie seksuale me synim rritjen e popullsisë së Kalifatit me të paktën 10 gra. “Ne jemi të detyruar të kryejmë marrëdhënie me gratë në kamp për të rritur popullsinë”, kanë thënë Ahmet, 13 vjeç dhe Hamid, 14 vjeç për zyrtarë të Forcave Siriane, të cilët më pas e kanë rrëfyer këtë për “Daily Beast”. Ata kanë rrëfyer se ka një numër të lartë të grave shtatzënë në kamp edhe pse burrat e tyre mbahet në kampe të veçanta si të burgosur.

Ahmet dhe Hamid, së bashku me tetë djem të tjerë të rinj, janë nxjerrë tashmë nga kampi i al-Hol dhe janë dërguar në një qendër rehabilitimi në qytetin e Qamashli, në verilindje të Sirisë. Një roje i kampit tregoi se forcat siriane i gjetën adoleshentët të fshehur nga gratë e kampit në tunele të nëndheshme.

Këto kampe janë përdorur fillimisht për të strehuar familjet e luftëtarëve të ISIS në fund të vitit 2018, ndërsa forcat kurde të mbështetura nga Amerika rimorën territorin në lindje të Sirisë. Në mars të vitit 2019, ata rimorën kontrollin e fshatrave të fundit të pushtuar nga ISIS duke i dhënë fund “Kalifatit” që grupi shpalli në sipërfaqe të mëdha në Irak dhe në Siri në vitin 2014.

A2 CNN ishte brenda kampit al-Hol në nëntor të vitit 2019 në Siri, duke raportuar realitetin e hidhur me të cilin ishin duke u përballur me dhjetëra shqiptarë në kamp. Pas asaj periudhe, përmes disa operacioneve speciale, qeveria shqiptare arriti të rikthente në atdhe një pjesë të madhe të shqiptarëve që kishin qëndruar në kamp.

Latest articles

Related articles