Një sulmues i armatosur vrau shtatë persona përfshirë një vajzë 12-vjeçare, të cilën e qëlloi me pushkë në një lokal të bilardos në Brazil.
Ajo çfarë është më e tmerrshme është fakti, se gjithçka ndodhi për shkak se të vrarët kishin qeshur me sulmuesin që kishte humbur dy herë në këtë lojë, transmeton Telegrafi.
Kjo e kishte nervozuar tej mase sulmuesin i cili ishte larguar për t’u rikthyer me pushkë në dorë. Momentin rrëqethës e kanë filmuar kamerat e sigurisë ku shihet sesi i qëllon me armë.
Policia braziliane ka konfirmuar se sulmuesi është identifikuar si Edgar Ricardo de Oliviera, 30-vjeç dhe Ezekias Souza Ribeiro, 27, që duket se e kishte asistuar në vrasjet makabre.
Ata thanë se Oliveira kishte luajtur bilardo kundër njërit nga viktimat dhe kishte humbur 4.00 reala. Më vonë ishte rikthyer duke kërkuar një lojë tjetër, por edhe aty humbi.
Të qeshurat e tjerëve e nervozuan sulmuesin, që shkoi për ta marrë pushkën me të cilën i vrau pa u menduar dy herë.