Prokuroria e Tiranës pushoi hetimet për Klodian Gradecin, ish-drejtori i hidrokarbureve pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe një vartës të tij të dyshuar për shpërdorim detyre, me pretendimin se pas denoncimit të drejtorit të përgjithshëm të Albpetrol, nuk gjeti të dhëna për dëmin e shkaktuar prej 1.5 milionë dollarë.
Por mbyllja e çështjes nga prokuroria ndaj dy ish-zyrtarëve dhe procedimi për specialistë të tjerë ka sjellë reagimin e gjykatës e cila sipas shkresave që Top Channel disponon ekskluzivisht ka refuzuar pushimin e akuzave. Gjykata ka kthyer pas dosjen duke urdhëruar prokurorët e Tiranës që të hetojnë njësoj siç vepruan edhe për të dyshuar të tjerë si shoqëria ‘Phoenix Petroleum” apo nëpunës shteti si shtetasit Naim Kasa, Arben Doda, Simon Marku dhe Denis Durrësi.
Gjykata vlerëson se skandali erdhi nga mos përmbushja e rregullt e detyrës dhe ndaj duhet kryer individualizimi i përgjegjësive të secilit nga zyrtarët e AKBN duke nisur nga veprimet e duke u lidhur me pasojën e sjellë nga faturat e depozituara pranë një banke
Siç përmendet në shkresa falsiteti i faturave me një vlerë totale prej 1.299.000 USD është konfirmuar nga autoritetet gjyqësore amerikane.
Gjykata thotë se nisur nga pretendimi i shtetases Eva Peza, FBI u angazhua në një investigim ku dhe zbuloi detaje.
Hetimi i hapur me bujë solli fletë arreste edhe për ish-zyrtarë të lartë si Klodian Gradeci, por pretendimet se punonjësit e AKBN certifikuan punimet e pakryera duke i pasqyruar në fatura si të përmbushura u shuan nga akuza.
Pika më e rëndësishme e vendimmarrjes së gjyqtarit paraprak të Tiranës është përplasja me prokurorinë që e ka kthyer në modë copëzimin e dosjeve dhe veçimin e të pandehurve duke i mbyllur historitë e bujshme pa bujë. Ndaj gjykata urdhëron që kjo çështje e veçuar të bashkohet në një të vetme mbasi faktet dhe fabula janë të njëjta./TCH