“Cigaraja elektronike” është përshëndetur si një alternativë më e sigurt për pirjen e duhanit dhe një mjet i dobishëm për ata që janë të varur nga duhanpirja.
Por, ekspertët e shëndetit theksojnë se avulli që lëshon kjo cigare elektrike mund të shkaktojë astmë, apo probleme të tjera në trupin e njeriut.
Një studim i ri ka zbuluar se avullimi mund të jetë potencialisht i dëmshëm edhe për shëndetin e zemrës.
Hulumtimi nga Universiteti i Louisville në Shtetet e Bashkuara zbuloi se ekspozimi ndaj avullit të cigareve elektronike shkakton aritmi të zemrës tek minjtë, kafsha ku u bë edhe studimi, shkruan Euronews.
“Gjetjet tona tregojnë se ekspozimi afatshkurtër ndaj cigareve elektronike mund të destabilizojë ritmin e zemrës përmes kimikateve specifike brenda lëngjeve elektronike”, tha Alex Carll, asistent profesor në Departamentin e Fiziologjisë të universitetit, i cili drejtoi studimin.
Ndërsa nevojiten studime të mëtejshme për të përcaktuar efektet kardiake te njerëzit, autorët e studimit thanë se gjetjet e tyre treguan një “nevojë urgjente” për më shumë kërkime në këtë fushë.