McGonigal del para Gjykatës Federale, çfarë do të përfshijnë hetimet në SHBA ndaj ish-agjentit të FBI-së

Ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal, ka dalë ditën e sotme para Gjykatës Federale të Manhatanit në Nju Jork.

Sipas burimeve nga mediat e huaja, çështja penale kundër ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal, do të përfshijë informacione të klasifikuara së bashku me komunikimet elektronike, të dhënat financiare dhe fotografitë e mbikëqyrjes.

Lajmin e bëri të ditur një prokuror gjatë seancës gjyqësore, ndërkohë që McGonigal akuzohet se ka marrë para nga një oligark rus i sanksionuar dhe nga një zyrtar i Shërbimit Informativ në Shqipëri.

McGonigal, i cili është deklaruar i pafajshëm për akuzat për lidhjet e tij me oligarkun rus të sanksionuar Oleg Deripaska, u shfaq pranë avokatit të tij dhe nuk tha asgjë.

Avokatit të tij iu dhanë 90 ditë shtesë për të shqyrtuar të gjitha provat e zbuluara deri më tani.

Ndërkohë McGonigal akuzohet veçmas në Uashington, DC, për marrjen e parave nga një zyrtar shqiptar, ndërsa ishte ende në FBI. Ai gjithashtu u deklarua i pafajshëm edhe për këtë rast.

Kujtojmë se në aktpadinë ndaj tij përmenden edhe lidhjet e tij me kryeministrin Edi Rama dhe dyshohet se McGonigal ka marrë para për të nisur një hetim ndaj një lobisti që dyshohet se punonte për Partinë Demokratike në Shqipëri, me qëllim për të dëmtuar opozitën shqiptare.

Latest articles

Related articles