R. SH. – Vatikan
“Pata prej kohësh dëshirë t’i vizitoj këto dy vende, që i kam në mënyrë të veçantë për zemër e ku e kam ndërmend të shkoj si shtegtar i paqes dhe i pajtimit”.
Toka të munduara nga konflikte të gjata
Kështu u shpreh Papa Françesku pas lutjes së Engjëllit, që i paraprin Udhëtimit të tij të 40-të Apostolik në zemër të kontinentit të madh afrikan. Janë toka, ato të Republikës Demokratike të Kongos dhe Sudanit të Jugut, vëren Papa, të vëna në prova të rënda, pasojë e konflikteve të gjata:
“Republika Demokratike e Kongos vuan, veçanërisht në lindje të vendit, për shkak të konflikteve të armatosura dhe shfrytëzimit; ndërsa Sudani i Jugut, i copëtuar nga vitet e luftës, mezi pret të përfundojë dhuna e vazhdueshme, që i detyron kaq shumë njerëz të jetojnë të zhvendosur dhe në kushte vështirësish të mëdha”.
Vlera ekumenike e vizitës
Më pas sqarimi i natyrës ekumenike të shtegtimit të tij: do të shkojë në Sudanin e Jugut së bashku me Kryeipeshkvin e Canterbury-t dhe Moderatorin e Asamblesë së Përgjithshme të Kishës së Skocisë:
“Kështu ne do të jetojmë së bashku, si vëllezër, një shtegtim ekumenik paqeje, për të kërkuar nga Zoti e nga njerëzit fundin e armiqësive dhe pajtimin”.
Caritas i RD Kongos dhe Sudanit të Jugut: ka shumë për të bërë për krizat e harruara
Popullsia e RD Kongos lindore është e rraskapitur. Lajmet nga rajoni flasin për ndeshjen ndërmjet Republikës së Kongos dhe Ruandës, që bëhet gjithnjë e më e ashpër, me pasoja të rënda për banorët e Kivu-së veriore, të cilët jetojnë të tmerruar prej dekadash dhe vijojnë të kërkojnë një vend të sigurt për të jetuar. Ikin prej fshatrave të vëna në shënjestër nga bandat e shumta të kriminelëve, që përzihen me milicitë e organizuara, ndërsa ushtria e rregullt kongoleze nuk është në gjendje t’u bëhë ballë rebelëve dhe shpesh bashkëpunon me ta. Forca paqeruajtëse e OKB-së lufton për të mbajtur kontrollin. Në rajonin e Kivu-së veriore, rebelët e grupit M23 kanë prerë rrugët jetike të lidhjes me kryeqytetin rajonal, Goma.
Në DR Kongos dhe Sudanit të Jugut, Papa pritet si shtegtar i paqes
Akuzat e anasjellta ndërmjet Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandës, për mbështetje ndaj këtij apo atij grupi rebel, e ndezin klimën politike dhe sociale dhe vënë në rrezik burimet minerale të kësaj zone. Bashkësia ndërkombëtare ka frikë se konflikti mund të përhapet, me pasoja destabilizuese në të gjithë rajonin e Afrikës Lindore.
Kishat në Sudanin e Jugut dhe etja për paqe
Në Sudanin e Jugut, bashkësitë e ndryshme fetare janë faktor unifikues i strukturës dhe jetës shoqërore, të shkatërruar gjatë dekadave të luftërave civile. Siç thekson agjencia Fides, feja ka luajtur një rol tejet të rëndësishëm edhe në paqëtimin e konflikteve etnike. Me kalimin e viteve, përpjekjet lidhur me nisjen e bisedimeve për paqen, lindën pikërisht përmes këtij kanali.