Gijotina e pamëshirshme amerikane mbi “kokat” e korrupsionit shqiptar

Red Varaku

Mekanizmi që kishte bllokuar sistemin politik në Shqipëri prej 2008 përmes një marrëveshje, që u zbulua dhe materializua në 2013, ku tre aktorët më të rëndësishëm të tranzicionit angazhoheshin të këmbenin pushtetin me kusht të mos ndëshkimit penal, duket se është shënjestruar fort nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që janë edhe ideatorët, garantët dhe mbrojtësit kryesorë të demokracisë në vendin tonë.

Prova të pakundërshtueshme për këtë janë shpallja nongrata e z.Sali Berisha si i korruptuar dhe minues i demokracisë dhe së fundmi goditja fatale për Edi Ramën duke e ekspozuar atë si minues të demokracisë përmes një komploti politik kundër “benjaminit” politik të Amerikanëve z. Lulzim Basha, të realizuar përmes korruptimit në bashkëpunim me shefin e kundërzbulimit të FBI për rajonin tonë. (Ndërkohë përflitet nën zë që edhe goditja për z. Ilir Metaj është punë ditësh).

Pra, trinomi politik Berisha- Rama- Metaj që ka dominuar politikën shqiptare të pas viteve 1990, i cili tashmë është identifikuar si tërësisht i korruptuar dhe minues i demokracisë dhe të cilin radiografia e ftohtë Amerikane e konsideron si tumor në palcën e demokracisë së brishtë shqiptare ka nisur të pastrohet me një bisturi të pamëshirshme.

Tashmë është e qartë që Urdhri Ekzekutiv i Presidentit Amerikan për të goditur korrupsionin, të cilin e ka shpallur si rrezik madhor për Sigurinë Kombëtare Amerikane, po fillon të materializohet në akte konkrete, por do të konsiderohet e përfunduar pasi “kokat” përgjegjëse për këtë të eliminohen jo vetëm politikisht, por njëkohësisht të marrin edhe ndëshkimin e merituar.

Nuk ka më dyshim edhe për më naivët që “kokat” që janë shënjestruar për t’u eliminuar më pas jo vetëm politikisht, janë tre aktorët më të rëndësishëm të tranzicionit mbi të cilët rëndojnë afera shumë të rënda korruptive, me anë të të cilave ata kanë marrë peng dhe shantazhojnë njëri-tjetrin.

Sigurisht që materializimi i zhbllokimit të sistemit tonë politik sapo ka filluar dhe është ende në fazat e ekspozimit të problemit themelor të krizës tonë të demokracisë, por ajo që është e rëndësishme është që “gijotina“ politike ( Reforma në Drejtësi) është bërë gati dhe është vendosur në mejdan të opinionit publik çka paralajmëron që“prerja e kokave”, që kanë marrë erë nga dehja që të dhuron pushteti i korruptuar është e pandalshme dhe e pashmangshme.

Latest articles

Related articles