Nga Vehap Kola
Të gjithë e kujtojmë mesazhim e Edi Ramës për Ilir Metën: Lulit i kam shkruar në fund të vitit 2017 se pas zgjedhjeve lokale nuk do të jetë kryetar partie, ndërsa ty po të shkruaj sot që pasi të mbarosh mandatin si president nuk do të gjesh më gjurmë LSI-je
Aktakuza e Departamentit të Drejtësisë kundër ish-funksionarit të FBI McGonigal e bërë publike së fundmi e bën të qartë më shumë se kurrë se e ashtuquajtura aferë e parave ruse në PD ishte dhe mbetet një skemë e Ramës për asgjësimin e opozitës dhe kundërshtarit të tij Lulzim Basha.
Sipas aktakuzës zyrtare të Gjykatës së Distriktit të Kolumbias në ShBA, në vitin 2017 Edi Rama korruptoi ish-oficerin e FBI i marrë si i akuzuar, McGonigal me një shumë prej 225,000 dollarë. Rama përdori një shtetas amerikan, ish-zyrtar i shërbimeve shqiptare të sigurisë gjatë regjimit komunist për të transferuar paratë kesh tek zyrtari i FBI.
Përmes McGonigal, Rama përgatiti një çështje kundër rivalit të tij, kryetarit të PD, Basha. I akuzuari McGonigal, në cilësinë e funksionarit të FBI nxiti këtë agjensi federale që të fillojë hetimet ndaj lobistit amerikan të partisë politike opozitare, pra Partisë Demokratike të Shqipërisë duke përdorur informacione dhe akuza që i servireshin nga kontakti i McGonigal, ish-funksionari i Sigurimit të Shtetit.
Bashkë me ish-funksionarin e Sigurimit të Shtetit komunist, McGonigal ka zhvilluar aktivitet lobimi dhe udhëtime në Europë në shkëmbim të 225,0000 dollarëve të përfituara nga ish-funksionari komunist. Lidhja ndërmjet McGonigal, ish-funksionarit të Sigurimit të Shtetit komunist dhe Edi Ramës provohet nga një seri ngjarjesh:
• McGonigal udhëton në Shqipëri në nëntor të vitit 2017 ku dyshohet se u takua me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Në dhjetor të po atij vitit, Rama, McGonnigal dhe ish-funksionari i Sigurimit të Shtetit darkojnë së bashku.
• Menjëherë pas darkës, në 4 janar 2018 ish-funksionari i Sigurimit të Shtetit komunist i dërgoi oficerit të FBI McGonigal informacione rreth lobistëve të partisë opozitare, të cilat McGonnigal ua kaloi kolegëve të tij në FBI një ditë më pas.
• Më datë 22 Janar 2018, McGonnigal mori një tjetër informacion nga ish-funksionari i Sigurimit të Shtetit, i cili nga ana e tij këtë informacion e kishte marrë nga zyra e kryeministrit Edi Rama.
• Në 21 – 24 Shkurt 2018, McGonnigal udhëtoi në Tiranë përsëri bashkë me ish-funksionarin e Sigurimit të Shtetit.
• Dy ditë më vonë, 26 Shkurt 2018, FBI në New York hapi hetimet kundër lobistit amerikan me kërkesë dhe nën drejtimin e McGonigal. Njerëz nga rrethi i ish-funksionarit të Sigurimit të Shtetit lehtësuan intervistimin e dëshmitarëve të rremë në Europë duke ndërmjetësuar takimet me agjentët e FBI dhe duke paguar biletat e dëshmitarëve të rremë.
• Në 4 Mars 2018, i akuzuari McGonigal drekon përsëri me Edi Ramën dhe ish-funksionarin e Sigurimit të Shtetit.
• Në 26 Prill deri në 2 Maj 2018 ai udhëtoi përsëri në Shqipëri i shoqëruar nga ish-funksionari i Sigurimit të Shtetit.
Asnjë nga udhëtimet e McGonigal në Shqipëri apo shuma prej 225,000 dollarë që ai mori nga ish-funksionari i Sigurimit të Shtetit komunist nuk u deklaruan në FBI siç e kërkon ligji amerikan.
E gjithë skema e shpjeguar në aktakuzën e Gjykatës së Distriktit të Kolumbias provon se Edi Rama organizoi, sponsorizoi dhe përgatiti çështjen kundër rivalit të tij politik, Lulzim Basha menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2017. Për këtë ai pagoi para kesh për zyrtarë të FBI, përdori segmente të ish-Sigurimit të Shtetit komunist, bleu dëshmitarë të rremë dhe komisionoi jehonën në media si Mother Jones etj, të këtij plani anti-demokratik.
Gjatë gjithë kohës, Rama e ndoqi nga afër zbatimin e këtij plani kundër rivalit të tij Lulzim Basha duke zhvilluar takime të shpeshta me zyrtarin e FBI McGonigal dhe ish-funksionarin e Sigurimit të Shtetit komunist.
Çështja e parave ruse në PD është, pra, një kurth i ngritur nga Edi Rama për të zhdukur opozitën dhe rivalin e tij Lulzim Basha. Lul humbësi apo Lul pengu e paska futur Ramën në skema të denja vetëm për Sigurimin e Shtetit apo për lojë pushteti në pallatet mesjetare.
Ndërsa ata që përdorin këtë rulet rus të Ramës për luftën e brendshme në Partinë Demokratike tregojnë se kujt i shërbejnë dhe sa seriozisht e kanë premtimin për të rrëzuar Ramën nga pushteti.