Bashkia Lezhë dhe Foltorja Lezhë, luajnë ping-pong fjalësh


Nga Indrit Vokshi

Asnjëra palë nuk ka politikë vendore, sipas përkufizimit profesional mbi politikën. Të akuzohesh e të propagandosh, është puna më e lehtë. Ndërsa të mendosh, të planifikosh e të realizosh, kërkon angazhim të madh.
Gjysma e qytetit të Lezhës, përmbytet prej masakrës me ndërtime.
A ka kush një studim se sa para nevojiten për ta zhbërë dhe rikuperuar dëmin?
Politika kërkon para, nuk bëhet me akuza. Veprat dhe projektet, kërkojnë financa për tu realizuar.
A u është drejtuar ndokush prej tyre profesionistëve e pastaj institucioneve të ndryshme financiare për të financuar projekte? Nuk besoj. Po tu ishin drejtuar e po të kishin ide, nuk do të debatonin në nivel akuzator por do ta shpalosnin politikën profesionale.
Si Parti Demokratike, sot jemi të dëmtuar për shkak të luftës civile që nisi Sali Berisha. Por si ekip e si kapacitete, kemi mundësi të mëdha për të ndërtuar politikë profesionale në nivel vendor – nëse do të votëbesoheshim.
Duke ndjekur replikat, mu kujtua që në eventet e financuara nga PPE (Partitë Popullore Europiane), kam takuar (ndër të tjerë) edhe drejtues organizatash e agjencish të cilat merren me menaxhimin e ujërave, lumenjve, ujërave të deteve – kontakte të cilat i ruaj e që mund të shërbejnë për të mundësuar projekte dhe financa.
Sado vështirësi që mund të hasim në zgjedhjet e ardhshme, njerëzve që duan politikë të vërtetë dhe profesionale, ne do tua mundësojmë një kuti votimi që ata të votojnë partinë që paraqet politikë të vërtetë, politikë mbi interesa komunitare.
Atyre që politikën duan ta mbajnë në nivelin “A është Pjerini i lindur në Lezhë apo jo”, “A ia ka thyer Pashku këmbën apo dorën ndokujt”, ne nuk kemi çfarë tu ofrojmë.
Le të vazhdojnë ta duan pushtetin për qëllime të ulëta e jopolitike, për disa vende pune, për rehatimin e disa njerëzve.
Ftoj të gjithë individët e emancipuar politikisht, pavarësisht partisë ku kanë aderuar historikisht; ata që shtetin nuk e shohin vend parazitar ku merret rroga kot por e shohin me mentalitet tjetër, të bashkohen dhe të japin një produkt politik ndryshe.

Latest articles

Related articles