Pse Sali Berisha sulmon SPAK? – REDAKSIONALE

Sali Berisha pretendon se është kryetar i opozitës së vërtetë por njëkohësisht sulmon prokurorinë. Deri sot prokuroria ka çuar përpara drejtësisë Saimir Tahirin, Lefter Kokën, deputetin Alqi Bllako e dhjetra të tjerë nga administrata.

Një kryetar i opozitës, i çdo opozite sadopak serioze, do kishte përshëndetur SPAK-un dhe prokurorinë dhe, do ju kishte dhënë kurajë për të vazhduar punën me këmbëngulje, kundër korrupsionit të qeverisë “Rama”. Sali Berisha bën të kundërtën. Sa herë SPAK godet qeverinë “Rama”, Sali Berisha del dhe sulmon SPAK-un, e quan vegël të Sorosit.

Kjo sepse Sali Berisha ka frikë se pas goditjes kundër qeverisë “Rama”, do të goditet qeveria “Berisha”. Spaku e ka nën hetim çështjen e Gërdecit.

Edhe sikur SPAK të çojë para gjykatës gjithë qeverinë “Rama”, madje të zhvarrosë edhe Kristaq Ramën dhe Spiro Kolekën që ai ja quan etër mizorë, përsëri Sali Berisha nuk do ta përshëndesë dhe mbështesë SPAK-un.

Sepse interesi madhor nuk është të goditet qeveria “Rama”, interesi madhor e primar është të mos goditet ish qeveria “Berisha” për Gërdecin, Klubin Partizani, Chez-Dia, pastrimin e parave nga Meta e të gjitha çështjet që janë nën hetim.

Nëse para 2 vjetësh disa analistë dhe berishistë akuzonin se opozita ishte e shitur, se Lulzim Basha merrte para, sot mund të themi se opozita është e kapur dhe peng i dosjeve të ish qeverisë “Berisha”. A ka më turp e më paradoks se kur ata të cilët pretendojnë se janë opozita, sulmojnë prokurorinë kur prokuroria godet qeverinë?

E gjitha kjo nga frika se do të akuzohen edhe ata. E kanë eleminuar opozitarizmin vetëm për të mbrojtur vetveten.

Latest articles

Related articles