Ekonomia globale parashikohet të rritet me 1,7% këtë vit, që do të ishte rritja e tretë më e dobët në gati tre dekada, tha Banka Botërore në raportin e saj të fundit të Perspektivave Ekonomike Globale.
Perspektiva për vitin e ardhshëm u ul, duke zbritur në 2,7% nga 3% që ishte.
Banka paralajmëroi se zhvillimet e pafavorshme, përkatësisht inflacioni më i lartë se sa pritej, rritja e papritur e normave të interesit, rikthimi i pandemisë ose tensionet e përshkallëzuara gjeopolitike mund ta shtyjnë ekonominë globale në një recesion.
Banka Botërore parashikoi që SHBA-ja, Eurozona dhe Kina do t’i nënshtrohen një rritjeje të dobët ekonomike.
“Kriza me të cilën përballet zhvillimi po intensifikohet ndërsa perspektiva e rritjes globale përkeqësohet”, tha presidenti i Grupit të Bankës Botërore, David Malpass.
Në SHBA, rritja ekonomike parashikohet të lehtësohet ndjeshëm në 0,5% në vitin 2023, krahasuar me 2,5% në vitin 2022. Në vitin 2023, rritja ekonomike e eurozonës vlerësohet në 0%, që reflekton një rënie prej 1,9 pikë përqindjeje.
Ekonomia, si në SHBA ashtu edhe në eurozonë parashikohet të zgjerohen me 1,6% secila në vitin 2024. Në Kinë, rritja ekonomike parashikohet në 4,3% në 2023 dhe 5,0% në 2024.
Parashikimet e fundit sugjeruan që nivelet e PBB-së në ekonomitë e tregjeve në zhvillim do të jenë rreth 6% nën nivelin e pritur në prag të pandemisë.
Tregtia globale parashikohet gjithashtu të ngadalësohet ndjeshëm krahas rritjes globale, pavarësisht mbështetjes nga një rimëkëmbje e vazhdueshme në tregtinë e shërbimeve