Sali Berisha do të marrë përgjithmonë damkën e turpit për 8 janarin – REDAKSIONALE

Një vit më parë, në selinë e Partisë Demokratike ndodheshin forcat e rendit dhe drejtuesja e prokurorisë së Tiranës që po mblidhte së bashku me policinë provat për sulmin që Sali Berisha së bashku me njerëz të paguar prej tij kishin orkestruar ndaj selisë së PD.
Për muaj me radhë, Berisha kishte galvanizuar dhe kishte provokuar urrejtjen e demokratëve karshi ish benjaminit të tij Basha. Ai kishte urdhëruar dhe sulmuar selinë e PD-së edhe përmes një personi të skeduluar si kriminel dhe në kërkim nga Mbretëria e Bashkuar, në aferë me djalin e tij. Më tej kishte përdorur mediat e tij personale për të krijuar imazhin se Basha dhe PD ishin mbushur me kriminelë dhe terroristë myslimanë që kishin ardhur nga Tetova dhe Maqedonia e Veriut.

Nën frymëzimin e Putinit, që më vonë përdori këto teori për të inkriminuar ukrainasit, Berisha nisi një sulm dhe baltosje të zyrtarëve të PD. Të gjithë deputetët demokratë u shenjestruan dhe u sulmuan me çfarë kishte në valixhen e fyerjeve dhe ofendimeve nga Berisha dhe gjithë opinionistët që dilnin në median e tij familjare. Në garë ishte kush fyente më brutalisht deputetët e PD.

Me një gjest çnjerëzor, larg të qënurit një njeri demokratik dhe me frymëzim perëndimor Sali Berisha do të shkonte në oborrin e PD duke kërcënuar me “përmbarim politik” duke paralajmëruar në fakt një sulm frontal dhe me çdo mjet të selisë së Partisë Demokratike. Pasi kishte fyer dhe poshtëruar këdo, ai mendonte se selia e Partisë Demokratike do të dezertohej apo në rastin më të mirë do të ishte aq plot sa për të nxjerrë një viktimë prej saj.

Plani i asaj dite, plani për marrjen me kazmë, hekura dhe kokën e dashit edhe mundësisht me ndonjë demokrat të vdekur nuk rezultoi me sukses. Sali Berisha ka të shkruar fatin e një njeriu që do të marrë me vete jo vetëm njollën e turpit të 8 janarit 2022 por thuajse të gjitha njollat e turpit me të cilat ai ka njollosur Partinë Demokratike që prej vitit 1996 kur vodhi zgjedhjet e deri në 21 janarin 2011 kur jo vetëm ishte kryeministër gjatë vrasjes së qytetarëve në bulevard por nga goja e tij lëshoi fyerje të pamenduara për Prokuroren e Përgjithshme (që dikur e kishte thërritur Silvia Konti) dhe Presidentit të Republikës (dikur nënkryetar i PD-së drejtuar prej tij).

Data 8 janar është shkëputja përfundimtare e Partisë Demokratike e cila me votat e disa deputeteve që sot marrin pjesë në takimet e Berishës, kanë votuar për përjashtimin e tij nga kjo forcë politike. Përkujtimorja e kësaj data nuk ka përse vjen si një viktimizim, pasi të tillë e konsiderojnë njerëzit që ende kanë në zemër Sali Berishën. Përkundrazi kjo është një datë çlirimi nga hija e keqe dhe vjetërsia e Berishës prej kësaj force politike që po kalon këto trauma të rënda sepse nuk pati asnjëherë guximin të largohej nga e keqja përpos se sot.

Asnjë demokrat nuk ka përse të mërzitet nga ngjarjet e një viti më parë, pasi ato janë dinamika e një force politike që po tenton të kthehet në shinat e një partie politike që nuk do të jetë pengu i një politikani që ka mbyllur përfundimisht hesapet me politikën por do të mbajë ende gjallë në deriçkë për t’i ikur prokurorisë dhe drejtësisë.

Një vit pas këtij akti kriminal, që pasuron palmarin e akteve të këtij politikani, asnjë premtim i Sali Berishës nuk është mbajtur. Gjithë akuzat e tij lëshuar deputetëve të PD-së nuk vlejnë asgjë, madje dhe akuzat ndaj ish benjaminit të tij Basha janë jo vetëm vjetërsuar por duket se as Berisha nuk ka fuqinë e tij t’i besojë dhe artikulojë.

Gënjeshtrat e tij se sapo të vijë në pushtet ai do të ketë legjitimitet dhe se Partia Republikane në SHBA do ta mbështesë u shuan në det njësoj si ëndrra e ish kongresmenit Zeldin që humbi bindshëm në garën për Nju Jorkun. Mashtrimet e tij ndaj demokratëve që u premtoi se do të hetonte paratë ruse të Lulzim Bashës humbën në bllokun e zi të mashtrimeve, pasi komisioni special i ngritur nga njerëzit specialë ishte po aq i suksesshëm sa Komisioni Hetimor për Tatimet (drejtuar nga Arben Ristani) në opozitën e parë 2013-2017.

Dështimet e tij për të rrëzuar Ramën me revolucion dhe me protesta të dhunshme janë tanimë pjesë e një liste të gjatë gënjeshtrash që ai sajon përditë me shpresën se njerëzit do të vazhdojnë të besojnë retorikën e tij se ai është kryetari i PD-së. Mjaftoi vetëm një kërkesë e shkëlqesisë së saj Edit Harxhi në gjykatën e rrethit Tiranë për të mësuar se në fakt në regjistrin e PD në gjykatë njihej ende Lulzim Basha si kryetar partie.

Partia Demokratike dhe demokratët nuk kanë përse të jenë skllevërit e Sali Berishës dhe 8 Janarit 2022 i çliroi ato nga kjo skllavëri. PD dhe demokratët janë njerëz të lirë të cilët duhet të kenë besimin dhe duhet të luftojnë për një Shqipëri më të mirë që nuk mund të ndërtohet duke mbrojtur një familje të korruptuar, të lidhur me krimin e organizuar dhe minuese të demokracisë. Nëse skllevërit që rrinë sot pas Berishës kanë ëndrrat apo limitimet e tyre, kjo nuk do të thotë që të tjerët që duan një opozitë dhe një zgjidhje të mos kenë guximin për t’u distancuar nga Berisha.

Ka ardhur koha që demokratët të forcojnë radhët e tyre, koha që Berishës t’i jepet mësimi i radhës për një keqbërës që mendon se mund të trajtojë një pasuri të përbashkët si pronën e familjes dhe tarafit të tij. 8 janari nuk është as tragjedia e PD-së dhe as turpi i saj, demokratët po e shlyejnë turpin dhe mëkatin që i kanë qëndruar në krah edhe kur nuk duhej minuesit të demokracisë, të korruptuarit dhe njeriut të lidhur me krimin e organizuar. Tani duhet të mblidhen dhe të nisin të rindërtojnë shtëpinë e tyre, pasi vetëm kështu shqiptarët do t’u besojnë shtëpinë tonë të madhe.

Latest articles

Related articles