Nuk arrihet marrëveshja për formimin e Qeverisë së re në Mal të Zi

Shumica parlamentare e përbërë nga Fronti Demokratik pro-rus, Demokratët dhe Lëvizja URA e Dritan Abazoviqit nuk ka arritur një marrëveshje për formimin e një qeverie të re, të udhëhequr nga Miograd Llekiq.

Pas një takimi me përfaqësuesit e shumicës parlamentare më 4 janar, Llekiq njoftoi se nuk do të ketë ekzekutiv të ri.

“Kam thënë se ose do të ketë një qeveri serioze, ose nuk do të ketë fare. Nuk do të ketë Qeveri dhe le t’ua lëmë qytetarëve që ta interpretojnë vetë se kush ishte serioz”, tha Llekiq pas takimit, ku pritej të vendosej për Qeverinë e re dhe datën e seancës plenare për zgjedhjen e ekzekutivit.

Paraprakisht, Llekiq kishte njoftuar se Qeveria e re do të formohej më 20 janar.

Më 29 dhjetor, shumica parlamentare i dha Miograd Llekiqit mandatin që të formojë Qeverinë e re, bazuar në ndryshimet kundërthënëse në Ligjin për presidentin.

Sipas këtij ligji, shumica parlamentare tentoi që të merrte kompetencat e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, sepse ai refuzoi që të mandatonte Llekiqin për formimin e ekzekutivit të ri.

Partnerët ndërkombëtarë, posaçërisht Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, vazhdimisht i kanë bërë thirrje shumicës parlamentare që të mos tentojë të formojë Qeverinë e re bazuar në Ligjin për presidentin, duke paralajmëruar se një ekzekutiv i tillë do të kishte legjitimitet të kontestueshëm.

Pavarësisht kësaj, Miograd Llekiq, insistoi në formimin e Qeverisë.

Shumica parlamentare përbëhet nga partitë që fituan në zgjedhjet e vitit 2020, që mposhtën partinë e Gjukanoviqit, duke e dërguar në opozitë pas tri dekadash. Qeveria e parë e Zdravko Krivokapiqit punoi për 14 muaj, dhe më pas drejtimin e ekzekutivit e mori Abazoviq, që qeverisi për mbi tre muaj para se të ngrihej mocioni i mosbesimit në Parlament.

Latest articles

Related articles