8 janari i parë nga brënda selisë së PD!

Nga Av. Besart Logu

Me 8 janar kam qenë brënda selisë së PD. Për shkak të mbledhjes së thirrur nga ish kreu i partisë por dhe si shenjë e një prove se grupi i PD zyrtare ka njerëz që i përgjigjen edhe fizikisht kur ia kërkon nevoja. Dhe këtu kam parasysh prezencën fizike si numër më tepër se përballjen trup me trup. Të paktën flas për veten time ku kam qenë i mendimit dhe vazhdoj të jem se konflikti në PD, por dhe çdo konflikt tjetër, zgjidhet me forcën e arsyes dhe jo me atë të dhunës.

Me 8 janar, kam shkuar herët në seli, rreth orës 08:30-08:45. Parashikoja një konflikt të ngjashëm me atë të Land Bejkos dhe për të shmangur kontaktin me turmën, dola herët. Protesta ishte parashikuar të mbahej në ora 11:00. Në oborr kishte shumë pak persona, vetëm ato që nxitonin për të hyrë brënda. Kafja te selia ishte e mbyllur. Personi i parë që kam takuar ishte Shef B dhe pyetja e parë që i kam bërë ka qenë “Si me ja bo për një kafe?”. “Vetëm jashtë te kalaja”, më tha. Nuk bëhej, ika lart me idenë se dita nis edhe pa kafe. Aty shkëputa kontaktet me A.A dhe më pas mora vesh se e kishte marrë për kafe (jashtë selisë) AR dhe në të tilla kushte, e kishte patur të pamundur të hyjë sërisht. Kur hipa lart, pashë se salla ishte e mbushur. Kishin ardhur plot të tjerë përpara meje. Zura vend në rreshtin e parë në anë të dritareve, pranë deputetes GB, por më vonë kujtohem se mundet të më vinte ndonjë gurë nga jashtë. Ndërrova vend dhe u ula nga ana e murit, pranë anëtarëve të KK FG dhe ST.

Çështja e kafesë u zgjidh. Nona po shpërndante kafet nga ekspresi që mbante te dhoma saj. Mrekulli! E kisha llogaritur ta pija kafen e mëngjesit në drekë, pas protestës.

Në sallë ishin të gjithë miq e të njohur. Në fytyrat e gjithësecilit shfaqej pasiguria, deri në kufijt e frikës, se çfarë do të ndodhte në orët në vijim. Retorika kishte qenë shumë e ashpër, pritej diçka e keqe. Nuk vonoi shumë dhe në sallë erdhi kryetari. Nisi mbledhja dhe po diskutohej rreth riorganizimit të partisë në kushtet e mbajtjes edhe të kuvendit të 18 dhjetorit. Rrethanat na diktonin të nxisnim impulse të reja.

Nga njoftimet e mediave online u mor vesh përplasja që kishte patur Land Bejko me turmën e irrituar dhe të etur për akte dhune. Fatmirësisht ia kishte dalë paqtë. Ndërkohë shihja postimet e miqve që shfaqeshin një kat më poshtë, në oborrin e PD. Ndjesi shumë e rëndë!

Nuk vonoi shumë dhe nisi sulmi ndaj selisë. Në sallën e mbledhjeve dëgjoheshin qartë britmat dhe të sharat e rreshtit të parë, të grupit të krahut të punës. Me thyrjen e derës me shinë dhe me përballjen me dyert e blinduara, nisi menjëherë zhurma e vares. Askush nuk e kishte mendjen më te mbledhja. Gjithëkush shihte zhvillimet nga jashtë nëpërmjet transmetimeve live, kryesisht te Syri TV. Basha e kuptoi dhe e ndërpeu. Filloi komunikimet me personat që kishte rrotull.

Duke qenë se po shfaqnin vështirësi në hapjen e dyerve, sulmi u koordinua me gjuajtjen e gurëve në drejtim të sallës ku po zhvillohej mbledhja dhe me përdorimin e shkallëve me qëllim hyrjen nga dritarja. Në këtë moment, Garda Republikës çmoi se prezenca e Lulzim Bashës në atë sallë përbënte rrezik dhe u transferua për te zyra e tij.

Me përfundimin e mbledhjes, të gjithë u ngritën në këmbë dhe rritën vigjilencën ndaj objekteve që vinin nga jashtë dhe copave të xhamit që fluturonin në çdo drejtim. Ndërkohë, zhurma e varesë nuk ndalonte në asnjë sekond. Vendosmëri për tu admiruar!

Koha kalonte dhe tensioni rritej. Të vetëdijshëm se tensioni ishte i njëjtë edhe për palën tjetër, pasiguria se si do të precipitonte ngjarja shtohej edhe më tej.

Të jem i sinqertë, persona me kapuça apo me armë në brez nuk kam parë atë ditë. Brënda në seli kam shquar vetëm njerëz civil dhe me duar në xhepa, anëtarë të Partisë Demomratike, burra dhe gra që e duan PD njëjtë me ata që ishin në oborr.
Shumë shpejt, situata do të degradonte. Zhurmat e goditjeve nga jashtë nisën të shtohen, ishin më të fuqishme. Më vonë mora vesh se ishte përdorur mjeti mesjetar i “kokës së dashit”. Zhurmën e tij e kujtoj akoma, vështirë ta harroj. Për një moment, kam parë nga jashtë FM në shkallë që kishte marrë guximin të futej nga dritarja. Zbrapsja e tij me sprajt neutralizues (bashkë me episodin te ballkani pranë zyrës së Bashës) është i vetmi “gaz lotsjellës” i përdorur nga brënda selisë. Gjithçka tjetër e ka hedhur Policia e Shtetit. Provuar kjo edhe nga ana e grupit të prokurorëve që kryesohej nga ish drejtuesja e Prokurorisë së Tiranë zj.Elisabeta Imeraj. Dhe nëse do të ishin gjetur gjurmë të përdorimit të këtyre lëndëve, jam i bindur se Prokuroria nuk do të rezervohej ta bënte publike duke patur parasysh edhe përplasjen që ekzistonte mes zj.Imeraj me z.Basha. Pra, bie poshtë mashtrimi “na hodhi gaz Lulzim Basha”.

Kur ora po shënonte 13:00, dukej se “kështjella” po binte dhe se duhej të përgatiteshim për skenarin e përplasjes fizike. Fatmirësisht, me ndërhyrjen e Policisë, ky skenar i zi u shmang. Mundet të kishte dhe viktima. Ishte momenti ku fjalet i kishin lënë vendin veprave prandaj dhe rreziku i akteve të dhunës ishte real.

Ndërhyrja e policisë u bë në kohën e duhur, fiks kur dera lindore e selisë u arrit të hapej. Besoj do ketë patur të infiltruar në turmë prandaj dhe ndërhyrja u bë pikërisht në atë moment. Reagimi i policisë pas 40 minutash nga kërkesa e bërë nga zyrtarët e PD ishte lajm i mirë por shumë shpejt u kthye në shqetësim pasi gazi lotsjellës i përdorur për të shpërndarë turmën u fut i gjithi në godinë. Me gazin lotsjellës ishim mësuar në protestat e 2019. Reagimi i parë mbrojtës ishte të ikje me vrap. Ama, në kushtet kur ndodeshe në objekt, në pamundësi për ti shpëtuar efektit të gazit, asfiksia ishte e pashmangshme. E vetmja zgjidhje ishte dalja në taracë, vend i cili u kthye i papërshtatshëm kur gazi filloi të ngjitej lart për shkak të cilësive që ka si lëndë.

Ky ishte momenti kur ato qindra persona që ishin brënda selisë patën mundësi të merrnin frymë lirisht. Përplasja e dhunshme e 8 janarit mbaroi. Nëse për të gjithë ishte një periudhë rikuperimi, duke iu gjendur pranë njëri-tjetrit, për mua nisi një episod i dytë, mbase më i rëndë se çfarë kisha kaluar. Shtetasi AB, nga Malsia Madhe, më shkruan në msn, pa e patur mik në FB, se unë isha personi që e kisha goditur në kokë. Dhe siç e kanë këta nga veriu, filloi direkt kërcënimet me jetë.

U krijua një situatë e pakuptimtë. Më duhej të sqaroja një të panjohur për diçka që nuk e kisha bërë. Duke qenë se ishte nga Malsia Madhe, kontaktova me AR me idenë se mumd ta njohë. Pas disa orësh komunikime dhe ndërhyrje, u bind se isha personi i gabuar për të ngritur atë akuzë. Më kërkoi ndjesë për shqetësimin dhe e lamë për një kafe kur ai të merrte veten e të kthehej sërisht në Tiranë. Nëse shtetasi AB u sqarua në lidhje nga sa kishte ndodhur, unë personalisht aspak. Nuk bëja dot lidhjen se si dikush që nuk e njeh as personalisht dhe as virtualisht, të gjenë me emër dhe me mbiemër e të shkruan në mesenger. Pra, një dashakeqas i imi e kishte bërë këtë akt të turpshëm, duke e orientuar te unë me qëllim konfliktimin me të. Ashtu siç bëri një ish deputet që nxiste personin me të cilin ishin në tavolinë, të më shkruante publikisht se Besart Logu i ka nxjerrë gishtin e mesit demokratëve. Këto nuk janë gjë tjetër veçse anët më të pamorlashme dhe negative të njeriut. Prostitucion politik që duhet refuzuar. Dhe kur e mendon se këtë palo burrë e kemi patur deputet, kupton pse PD nuk shihej më si alternativë qeverisëse.

Nejse. U zgjata shumë dhe nuk thashë asgjë sa i përket përjetimeve të asaj dite. 8 janari do të mbetet gjatë në kujtesën time si një ditë e errët për Partinë Demokratike në veçanti dhe për demokracinë në tërësi. Tentativa për të marrë selinë me dhunë duhet dënuar ashpërsisht, në maksimumin që parashikon ligji. Duhet vendosur precedenti se aktet revolucionare janë të dënueshme në një shoqëri demokratike. Mendësia bolshevike nuk ka vend në Partinë Demokratike dhe se do të shtypet me çdo mjet nëse përsëritet në të ardhmen.

Latest articles

Related articles