Nga Enver Robelli
Sulmi me armë ndaj dy shtetasve të Kosovës të nacionalitetit serb nga, siç po dyshohet, një pjesëtar i FSK-së është, së pari, krim i pajustifikueshëm ndaj civilëve – dhe, së dyti, është krim ndaj Republikës së Kosovës.
Përtej kësaj është tradhti ndaj Kushtetutës së Kosovës, përbuzje ndaj qytetarëve të Kosovës që me taksat e tyre e financojnë FSK-në, është edhe poshtërim i historisë së FSK-së dhe trashëgimisë së saj nga një individ jo vetëm i papërgjegjshëm, por edhe me prirje kriminale.
Arsyetimet e shfajësimet e ndonjë poterexhiu digjital se i dyshuari për krim qenkësh “i biri i një heroi” janë tallje vulgare me çdo vlerë mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.
Komanda e FSK-së dhe Ministria e Mbrojtjes duhet ta trajtojnë këtë rast (këtë krim!) me seriozitet maksimal. Hetimet nuk duhet të zhvillohen vetëm ndaj të dyshuarit. Duhet të skenohen edhe zinxhirët komandues, duhet të ketë hetime lidhur me motivet e dorasit: a ishin motive politike apo të tjera?
Ky krim ndodh në një moment tepër të ndjeshëm politik. Dhe ndodh në vigjilje të një kremte të rëndësishme fetare të komunitetit serb. Çdo hezitim për t’i shkuar deri në fund këtij skandali, do t’i kushtojë edhe më shumë Kosovës. E vetëkuptueshme që sidomos politikanët në pushtet nuk duhet të tolerohen të fshihen pas floskulave dhe formulimeve përgjithësuese. Nëse Republika është e të gjithëve, atëherë shteti duhet të mbrojë çdo individ që bëhet viktimë e agresorëve që bartin madje edhe uniformë dhe përfaqësojnë shtetin.
Viktimave shërim të shpejt, fajtorëve dënim maksimal!