Ndërsa jemi në ditët e para të vitit 2023 një numër i lartë sfidash pret Partinë Demokratike e cila edhe këtë vit i duhet të angazhohet në beteja të disa fronteve ndonëse jo në gjendjen e saj më të mirë të mundshme.
Duke trashëguar problemet e vjetshme PD do të nisë një betejë politike e cila duhet të ndahet në tre pjesë, apo më shumë, që hera herës mund të puqen.
Së pari, zgjedhjet vendore 14 maj.
Mospjesmarrja në zgjedhjet e vitit 2019 i ka kushtuar rëndë PD-së, një gabim që i kushtoi asaj bashkitë dhe këshillat bashkiakë. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD dhe njëkohësisht kryetari i komanduar i PD, z. Alibeaj, ka propozuar në një pjesë të bashkive kandidatë për garën e majit 2023. Kjo do të thotë që PD do duhet të jetë në fushatë elektorale sa më shpejt të jetë e mundur. Për këtë arsye hapat janë 3:
a) Analizë dhe kritikë e buxheteve 2023 të 61 bashkive. Qëndrime dhe akte politike.
b) Ngritja e shtabeve elektorale për 61 bashki, me organigramë tekno-politike.
c) Kandidati
Këtu lind nevoja dhe domosdoshmëria e një force politike që duhet të ofrojë jo vetëm kandidatë për bashkinë dhe Këshillin Bashkiak por edhe një ofertë të qartë për çdo bashki. Nevoja për këto zgjedhje është e madhe më së pari për të dëshmuar që 6 marsi 2022 ishte një aksident që nuk do të përsëritet dhe më së dyti sepse PD duhet të tregojë që do ta tejkalojë shantazhin Berisha-Metaj.
Së dyti, jeta parlamentare.
Deri më tani PD ka mundur të manaxhojë me sukses një jetë parlamentare të mirë duke ngritur çështje të rëndësishme nga Inceneratorët me një Komision Hetimor shumë efiçent dhe dobiprurës, tek denoncimi i aeroprotit të Vlorës, denoncimi i ministres Xhaçka, dërgimi në Gjykatën Kushtetuese të disa vendimeve të qeverisë dhe projektligjeve apo dhe mandatit të Xhaçkës.
Gjithsesi, ajo ka dështuar që të jetë serioze në lidhje me emrat për Presidentin e Republikës duke dështuar të prodhojë jo vetëm një proces por edhe një logjikë politike. E njëjta gjë, për fatin e keq, ka ndodhur dhe në lidhje me Avokatin e Popullit që duket se u tentua të përdorej nga mazhoranca për të kaluar fshehtas dhe me skuthllëk emrin e Dvoranit për Gjykatën Kushtetuese. Këto probleme mund të jenë të kuptueshme duke pasur parasysh se nga grupi i PD kanë rrjedhur disa emra që i janë atashuar Berishës dhe lëvizjes së tij anti-amerikane.
Por nuk duhet harruar që presioni i vazhdueshëm mes dy grupeve ka mundur që të shtyjë sa më larg kompromiset. U pa qartazi që Berisha tentoi një kompromis për Dvoranin me Ramën, por që nuk ia arriti, ndërkohë që një situatë e tillë mund të largojë edhe më shumë Berishën nga një kompromis i mundshëm për Amnistinë Fiskale apo dhe Pasaportat e Arta me Ramën.
Së treti, jeta politike në terren dhe çështja e gjykatës.
Ajo çka sot po dëmton shumë PD është dhe një vendim i gjykatës së Apelit në lidhje me vulën dhe selinë e PD. Sali Berisha përdori një gjyqtar të epokës së korrupsionit për të marrë selinë e PD në shkallën e parë, më pas përdori një pjesë të mirë të kapitalit financiar të tij për të blerë mediat duke tjetërsuar deri dhe Kushtetutën për t’i mohuar PD të drejtën e Apelit. Sot, vendimi i apelit po zvarrit përditë e më shumë një ndarje përfundimtare por lehtësuese. Fakti që Apeli nuk po i jep drejtim serialit të gjatë Berisha kundër PD-së është një problem që do të thellojë edhe më shumë divergjencat dhe gjithashtu padijen kolektive të qytetarve.
Në media, Sali Berisha po paraqitet si kryetari i PD por ai në të vërtetë është kryetari i një partie që nuk është PD, por një lëvizje anti-amerikane dhe anti-britanike. KQZ pritet që të rregjistrojë PD-në e vërtetë, pra atë të drejtuar nga Alibeaj dhe me sekretar të përgjithshëm Bardhin, në zgjedhjet e sivjetshme vendore. Jeta politike e PD-së derisa të zgjidhet çështja e vulës do jetë e vështirë.