Daut Dauti
Shikojeni programin televiziv të vitit të ri të BBC dhe të ndonjë televizioni shqiptar dhe i vëreni dallimet. BBC programin festiv e fillon në mbrëmje me emisionet më të dalluara të vitit. Nuk ka muzikë. Ka promovim të artistëve, shkencëtarëve dhe personaliteteve që kanë treguar sukses gjatë vitit. Në mesnatë fillon transmetimi i drejtëpërdrejtë nga sheshi kryesor i qytetit ku mblidhen njerëzit për t’a vështruar momentin kur në orën 12 bëhen bashk dy akrepat e Big Benit. Pastaj fillon spektakli i fyshekzjarreve që është mënyrë e kontrolluar dhe që ka për qëllim krijimin e ndjenjës së përbashkët festive. Pastaj në televizor del ndonjë grup muzikor apo këngëtar që është i zgjedhur me shumë kujdes. Por, kjo muzikë nuk e zë as 1/10 e hapësirës së programit të kësaj nate festive.
Shikojeni tash programin e ndonjë televizioni të Kosovës. Është muzikë kryekput me ndonjë ndërprerje të ndonjë skeqi humoristik. Që të dyja pa asnjë vlerë artistike. Në ekran dominon defilimi i ‘këngëtareve’ me frizura dhe veshje që kanë për qëllim reklamimin e fustanave që shpalosin gjinjtë, këmbët dhe fundshpinën, siç po i thonë bythëve kohëve të fundit.
Tashti, merreni programin e BBC dhe shfaqeni në Kosovë dhe atë të televizioneve të Kosovës në Britani. Asnjëra palë nuk do ta shikonte. Kjo është për shkak se programet nuk përkojnë me kërkesën e tyre kulturore. Kërkesat e këtyre dy palëve nuk bijnë n’rabush. Janë dy popuj që kanë kultura të ndryshme të argëtimit sikur edhe në përgjithësi.
Programi i vitit të ri i televizionit të Kosovës nuk ka pothuaj asnjë dallim nga programet tjera të televizioneve të shtetevë të ish Jugosllavisë. Skema televizive dhe ‘vlerat’ e promovuara janë shumë të ngjashme. Kjo është për shkak se aspektet e kulturës trashëgohen. Por, kjo ngjashmëri kulturore nuk përfundon këtu. Që nga Adriatiku në perëndim, dhe në veri nga rjedha e djathtë e Savës dhe Danubit e deri të Deti i Zi dhe ai Egje, ngjashmëritë janë shumë më të mëdha se dallimet.
Përjashto Turqinë dhe Greqinë, vendet që i përthakon ky rreth dhe të cilat quhen Ballkan, kanë kaluar nëpër fazën e komunizmit që ka patur tendencë të njejtë të unifikimit politik dhe kulturor. Televizioni në këto vende ka lindur dhe është zhvilluar në komunizëm. Prandaj, është trashëguar edhe skema televizive e ngjashme nëse jo tërësisht e njejtë. Nuk është vetëm komunizmi që ka lënë pas këtë uniformim kulturor. Më parë ka lënë gjurmë sistemi otoman kurse më herët ai bizantin. Kjo është një sferë e përbashkët kulturore ku në aspektin religjioz dominon ortodoksia e krishterë ndaj myslimanizmit.
Përjashto shqiptarët, turqit dhe grekët, të gjitha shtetet tjera të kësaj sfere, pra Ballkanit, e kanë edhe gjuhën pothuaj të përbashkët. Të mos flasim për muzikën e folklorin. Ose, mos e harroni ushqimin. Është pothuaj tërësisht i njejtë. Pasuli, çorba me kompira, pitja, çoftet dhe çebapat, janë ushqimet kryesore në të gjitha sofrat e këtyre vendeve. Pas ose para bukës të gjithë pijnë kafe me filxhan dhe xhezve. Hajt tash qëllojani se çfarë kulture është kjo?
Çfarëdo që të jetë, pak ka ngjashmëri me atë të sferës perëndimore apo Evropës, siç kanë dëshirë ta quajnë disa. Në fakt Perëndimi, që nga koha e Dioklacianit, i cili e krijoi këtë ndarje, fillimisht administrative e më vonë religjioze e kulturore, kurrë nuk e ka pranuar Lindjen apo Ballkanin. Fillimisht për shkak të xhelozisë që Lindja, ku është edhe Ballkani, ishte superiore në çdo aspekt kurse më vonë, sidomos pas shek. XIX mbeti inferiore për shkak të ngecjes në zhvillimin industrial dhe politik. Perëndimi edhe sot e shikon Ballkanin me dyshime të mëdha.
Moszhdukja e këtyre dallimeve e ka kompleksuar personalitetin e ballkanasit, i cili e ka pranuar se është lindor, dhe si i tillë inferior, por që ka zell të madh të duket perëndimor. Këtu më i kompleksuari është shqiptari, të cilin ‘shkolla’ dhe ‘elita’ e vet e kanë bindur se është perëndimor. Por, kur shikohet në pasqyrë e sheh që nuk është, dhe e ka vështirë ta pranoj për shkak se qenia e tij i është trumpetuar si prapambeturi.
Nëse dëshironi t’i shihni dallimet apo ngjashmëritë kulturore, shikoni televizionet. Televizori është pasqyra më reale e transmetimit kulturor. Nëpërmes televizorit e merrni vesh se ku jeni ju e ku është ai ‘tjetri’.