Rama ju dha repartin 14 mijë m2, Filip Çakulli: Partizani nuk po merr mbështetje!

spot_img
Advertisements

Nga Filip Çakuli, Kryetari i Bordit të FK Partizani

Në Shqipëri, problemet me sportin kanë mbetur për t’u zgjidhur nga disa biznesmenë, dashamirës. Po të investosh miliona në sport, për rininë dhe për komunitetin, rrezikon të mbetesh thjesht një biznesmen që paguan faturat e veta.

Klubet sportive ankohen prej vitesh për mungesën e mbështetjes nga shteti. Ligji për sponsorizimet në futboll dhe sportet e tjera jo vetëm që nuk miratohet, por ende kalon dorë më dorë të deputetëve në Kuvend.
Pra, kemi të bëjmë me një debat të gjatë parlamentar, dhe jo një diskutim serioz, që do t’i jepte frymëmarrje sportit. Që i bën mirë, veçanërisht rinisë.

Le të marrim një shembull konkret: Partizanin.
Klubi, me paratë e veta, ka ndërtuar një kompleks sportiv me stadium dhe mjedise të tjera ndihmëse. Një investim shembullor, i rrallë edhe në Evropë, ku stadiumet zakonisht ndërtohen me financime publike, nga shtetet apo bashkitë. Këtu një klub privat ka bërë atë që shpesh nuk e bëjnë dot institucionet publike.
Dhe çfarë duhet të bëjë qeveria përballë një investimi të tillë?

E vërteta është se kryeministri u interesua për stadiumin dhe terrenët e tjera ndihmëse. Por zyra te tjera të administratës ndërtojnë gardhe penguese për zhvillimin e këtij sporti.

Sepse ky kompleks nuk është vetëm një stadium ku Partizani luan ndeshjet e veta. Është një aset sportiv për Tiranën, një mundësi për të rinjtë që të stërviten, të zhvillojnë talentin dhe të largohen nga rruga drejt së cilës i shtyn mungesa e ambienteve sportive. Një investim privat që krijon vlerë publike.

Atëherë, a nuk duhej të shqyrtohej seriozisht shpallja e presidentit të Partizanit investitor strategjik? Jo si një dekoratë për një biznesmen, por si njohje e një investimi që i shërben edhe komunitetit.

Investitorë strategjikë janë shpallur biznesmenë për projekte ndërtimi, pallatesh e vilash. Dhe mirë është bërë. Nuk është se ndërtimi i banesave nuk ka vlerë ekonomike, por këtu lind pyetja: pse duhet të jetë më e lehtë të gjesh mbështetje për një projekt që i shërben kryesisht interesit të investitorit, sesa për një kompleks sportiv që mund t’i shërbejë një brezi të tërë?

Kuvendi, Bashkia e Tiranës duhet të ishin të parat që ta përshëndesnin këtë investim, të shqyrtonin mënyrat ligjore për ta mbështetur dhe të krijonin kushte që përfitimet e tij të shtriheshin edhe te sportistët e rinj, shkollat dhe komuniteti. Jo të presin që suksesi të bëhet i padiskutueshëm, për të dalë më pas në fotografi.

Sporti nuk është një luks që shteti mund t’ua lërë vetëm pasionit dhe xhepit të privatëve. Që në Greqinë e lashtë, sporti kishte rëndësi publike, ndërsa atletët dhe garat gëzonin forma të ndryshme mbështetjeje. Dhe shpërblime të shumta. Në fund të shekullit XIX, Pierre de Coubertin kontribuoi në ringjalljen e Lojërave Olimpike moderne, duke i dhënë jetë një ideali që e kapërcente garën: edukimin, bashkëjetesën dhe zhvillimin përmes sportit.

Sot, Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për stadiume ku të luajnë profesionistët, por për një politikë sportive që u jep mundësi edhe mijëra të rinjve të luajnë, të stërviten dhe të rriten me sportin.
Partizani e ka bërë investimin. Tani radha është e shtetit të tregojë nëse di të krijojë politika që i nxisin këto iniciativa, apo di vetëm të ndajë titujt dhe privilegjet.

Sepse një stadium mund të ndërtohet me paratë e një privati. Por një politikë sportive nuk mund të ndërtohet pa shtetin.

Dhe nesër, kur të gjithë të krenohen me këtë kompleks, do të jetë mirë të kujtojnë se krenaria erdhi nga investitori. Mbështetja publike, nëse vjen, nuk duhet të vijë për të marrë meritat, por për të bërë të mundur që një investim i tillë të mos mbetet përjashtim, por të kthehet në shembull.

spot_img

Latest articles

Related articles