përgatiti: Enver Robelli
E shtuna është ditë për leximin e gjatë të gazetave, të cilave gjatë javës, për mungesë kohe, nuk mund t’u kushtoj vëmendjen e duhur. Shfletimi i gazetave dhe ndalesat te shkrimet që të tërheqin vëmendjen nxjerrin në sipërfaqe tema interesante. Për shembull, një intervistë e Peter-André Alt me gazetën e Berlinit Der Tagesspiegel. Alt është profesor i Letërsisë Moderne Gjermane në Universitetin e Lirë të Berlinit (Freie Universität Berlin), të cilin e drejtoi si president nga viti 2010 deri në vitin 2018. Nga viti 2018 deri në vitin 2023 ishte president i Konferencës së Rektorëve të Shkollave të Larta, ndërsa që nga prilli i vitit 2023 drejton Fondacionin për Shkencë Wübben në Berlin.
Në intervistën për “Der Tagesspiegel”, Peter-André Alt flet për librin e tij të ri, „Die Kanzler und die Intellektuellen“ (Kancelarët dhe intelektualët). Alt ka hulumtuar se si dhjetë kancelarët gjermanë që nga viti 1949 janë sjellë me elitën mendore të kohës së tyre. Në vijim disa fakte interesante.
Së pari, Alt sqaron se çfarë e bën dikë “intelektual”. Ndryshe nga ekspertët e zakonshëm të një fushe, intelektualët ndërhyjnë në debatet politike nga një perspektivë morale dhe e vlerave, duke i parë gjërat nga një “lartësi e caktuar mendore”. Ai kundërshton idenë se gjermanët janë të shkëputur nga politika, duke theksuar se Gjermania ka një veçori unike në Evropë: për gati 60 vjet, e njëjta gjeneratë intelektualësh (kryesisht burra, si Jürgen Habermas, Günter Grass, Martin Walser dhe Hans Magnus Enzensberger) ka ndikuar vazhdimisht në formësimin e vendit. Ndërsa sot, sipas tij, hapësira publike vuan nga një “përzierje e cektësisë dhe fundamentalizmit”, ku rrjetet sociale kanë krijuar debate tepër të shpejta e skandaloze, dhe ku shkencat humane janë bërë “në mënyrë tronditëse të heshtura”.
Sa i përket raportit të secilit kancelar me intelektualët dhe emrave konkretë që kanë pasur rëndësi për ta, Alt i analizon një nga një:
Konrad Adenauer nuk kishte absolutisht asnjë interes për intelektualët. Ai ishte një politikan praktik, i cili për artin interesohej vetëm në mbrëmje për t’u çlodhur. E ndau politikën sistematikisht nga bota e mendimit që të mos ndikohej prej saj. Edhe pse kjo i solli sukses, në fund të mandatit të tij 14-vjeçar u dukën qartë boshllëqet që kishte lënë kjo shkëputje.
Pasardhësit e tij të menjëhershëm, Ludwig Erhard dhe Kurt Georg Kiesinger, u përpoqën ta rregullonin këtë gabim dhe t’i afroheshin botës intelektuale, por dështuan. Intelektualët tashmë kishin kaluar në krahun e socialdemokratëve (SPD), një prirje e majtë që vazhdon edhe sot dhe që i kushtoi shumë partisë konservatore CDU për dekada.
Socialdemokrati Willy Brandt kishte marrëdhënien më të ngushtë me intelektualë nga të gjithë. Intelektualët e ngritën atë si një figurë ideale, ndërsa ai kishte nevojë për ta si këshilltarë. Brandt ndihej shpesh më shumë si një artist bohem sesa si politikan. Miku dhe partneri i tij më i rëndësishëm ishte shkrimtari Günter Grass. Ata kishin një miqësi të sinqertë, por “të lodhshme”, sepse shpesh ia hanin nervat njëri-tjetrit: Grass e mbyste me propozime të vazhdueshme (pasi e kishte ndihmuar edhe në fushatat elektorale të 1965-ës dhe 1969-ës), ndërsa Brandt ruante një distancë të pashpjegueshme. Megjithatë, Grass ishte i dobishëm për Brandtin: lexonte gjithçka – nga historia e SPD-së deri te procesverbalet e parlamentit – dhe i ndihmonte kancelarit ta shihte politikën e ditës dhe politikën ndaj Lindjes (Ostpolitik) në një kontekst të gjerë historik.
Helmut Schmidt ishte kancelari më intelektual nga të gjithë. Ai e quante politikën një “sport luftarak”, konkretisht një sport luftarak intelektual. Kishte parime të prera, argumentonte me siguri të madhe dhe i adhuronte debatet e ashpra filozofike. Mendimi i tij ishte i brumosur dhe i edukuar nga filozofët dhe mendimtarët e mëdhenj si Immanuel Kant, Max Weber dhe Karl Popper.
Me Helmut Kohl ndodhi një rënie e madhe dhe një moskuptim i ndërsjellë. Kur ishte ende kryeministër i landit Rheinland-Pfalz (para vitit 1976), Kohl u mundua të afrohej duke ftuar për biseda shkrimtarin Heinrich Böll dhe artistin Joseph Beuys, por takimet dolën pa fryt. Pasi u bë kancelar më 1982, të dyja palët nuk merreshin vesh fare. Edhe pse Kohl ishte historian i formuar dhe njohës i shkëlqyer i historisë së kishës dhe arkitekturës, në publik sillej qëllimisht si “jointelektual” dhe nuk ishte orator i mirë. Intelektualët e nënvlerësuan dhe e panë si njeri provincial, duke rënë shpesh nën nivelin e tyre kur e kritikonin. Sipas Alt, Kohl e kuptonte pushtetin më shumë në nivel fizik sesa mendor.
Gerhard Schröder e kishte shumë të rëndësishme të shihej në publik i rrethuar me artistë dhe intelektualë. Megjithatë, sipas dëshmitarëve të takimeve të asaj kohe, pas kësaj fshihej pak substancë; atij i interesonte më tepër “shou” publik, për të treguar se këto figura ishin në anën e tij.
Angela Merkel, e formuar nga shkenca, kishte një qasje krejt tjetër: ajo e kërkonte shkëmbimin me intelektualët dhe artistët, por kurrë në publik. Preferonte takime në rrethe të vogla ku mund të mësonte diçka. Rasti më i veçantë i saj ishte lidhja e papritur dhe e ngushtë me kantautorin Wolf Biermann. Edhe pse vinin nga kampe krejt të kundërta politike, ata e pëlqenin shumë njëri-tjetrin. Biermann u bë një nga mbrojtësit e saj më autentikë, duke e quajtur me ironi një “fëmijë të suksesshëm të RDGJ-së” (Gjermanisë komuniste), për të vlerësuar aftësinë e saj për të bërë debate parimore dhe qëndrueshmërinë që kishte.
Olaf Scholz përshkruhet si një lexues i madh dhe një njohës i shkëlqyer i filozofisë politike, sociologjisë dhe letërsisë bashkëkohore – një lloj “intelektuali i terrenit” që ruan këmbët në tokë. Ashtu si Merkel, ai këshillohej me intelektualët larg syrit të publikut, veçanërisht me sociologët Steffen Mau, Armin Nassehi dhe Andreas Reckwitz. Gjithashtu, idenë kryesore të fushatës së tij të suksesshme të vitit 2021 – “respekt për të gjithë” – e huazoi nga filozofi amerikan Michael Sandel. Megjithatë, sipas Alt, Scholz nuk arriti ta përkthente këtë pasuri mendore as në retorikën e tij dhe as në politikën praktike, ndoshta sepse i mungonte emocionaliteti.
Së fundmi, për Friedrich Merz, autori vëren “një lakore mjaft të sheshtë” dhe një mungesë autenticiteti. Merz e sheh veten si ekspert ekonomie dhe herë pas here u referohet mendimtarëve dhe librave të ordoliberalëve, si Friedrich von Hayek apo Walter Eucken. Nga letërsia pothuajse nuk merr vesh; hera e parë dhe e vetme që u mor vesh diçka për shijet e tij letrare ishte në pushimet e verës 2026, kur u bë e ditur se po lexonte romanin „Narrenschiff“ (Anija e palaçove) të Christoph Hein (mbi nomenklaturën e RDGJ-së). Alt e kritikon Merzin se nuk zbulon se çfarë e frymëzon dhe e prek vërtet, duke e bërë të pamundur që qytetarët ta kuptojnë se ku qëndron ai emocionalisht dhe intelektualisht.



