Moska do një brez i gjerë territori mes Detit Baltik dhe Ballkanit të shndërrohet në një zonë pasigurie

spot_img
Advertisements

(Nga një koment i gazetës zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” mbi përrallat e rrezikshme të Vlladimir Putinit)


Moska arriti javën e kaluar që bisedimeve për përfundimin e luftës në Ukrainë t’u shtohej një temë e re: kërkimi i një rendi sigurie për gjithë Evropën. Ndërmjetësuesit amerikanë jo vetëm që e pritën me interes këtë ide, por edhe e nxitën udhëheqjen ruse t’i shtjellonte qëndrimet e saj. Moska e entuziazmuar nuk priti ta dëgjojë dy herë këtë ftesë. Por ajo që rusët hodhën në letër është demaskuese.
Rusia kërkon asgjë më pak se çmontimin e NATO-s. Kjo Aleancë mbrojtëse nuk duhet as të vendosë trupa, as të zhvillojë stërvitje ushtarake në shtetet anëtare të Evropës Lindore. Kjo synon haptazi dobësimin e krahut lindor të NATO-s dhe lënien e vendeve të prekura sa më të pambrojtura. Një brez i gjerë territori mes Detit Baltik dhe Ballkanit do të shndërrohej në një zonë pasigurie. Sikur synimi të mos ishte mjaftueshëm i qartë, Moska kërkon gjithashtu garanci se fuqitë bërthamore perëndimore nuk do t’i mbrojnë aleatët e tyre me armë bërthamore në rast lufte. Natyrisht, Rusia, fuqia më e madhe bërthamore në botë, nuk ofron asgjë të ngjashme në këmbim.
(…)
Paturpësia e kërkesave ruse hedh poshtë edhe pretendimet e atyre që kanë dashur ta paraqesin luftën në Ukrainë thjesht si një konflikt territorial mes dy fqinjëve. Në këtë kamp bënte pjesë, të paktën deri vonë, edhe qeveria e Trumpit. Ajo përsëriste vazhdimisht se çështja kryesore e pazgjidhur ishte përcaktimi i kufijve në Donbas. Në të vërtetë, ky rajon i shkatërruar rëndë nuk ka ndonjë vlerë të madhe politike apo ekonomike për Moskën. Por ai mund të shërbejë si bazë për nisjen e fushatave të ardhshme ushtarake kundër pjesës së mbetur të Ukrainës, e cila, sipas Putinit, nuk ka arsye të ekzistojë. Tani që Rusia po shpalos tërësinë e kërkesave të saj, motivi imperialist bëhet i qartë. Ukraina është vetëm një front në një plan shumë më të gjerë për t’u përballur me Perëndimin.
(…)
Çuditërisht, ata që ia zbusin imazhin Putinit nuk i kujtojnë kurrë të gjitha premtimet e shkelura të Moskës, të dhëna në forma juridikisht detyruese. Mes tyre janë Karta e Parisit, Karta Evropiane e Sigurisë dhe Akti Themelues NATO-Rusi. Të gjitha sanksionojnë parimin e paprekshmërisë territoriale, si dhe të drejtën e çdo shteti për të vendosur lirisht se cilave aleanca dëshiron t’u përkasë. Për të mos lënduar ndjeshmëritë ruse, NATO-ja nuk vendosi trupa në vendet e Evropës Lindore që iu bashkuan Aleancës deri në vitin 2014. Vetëm pushtimi i Krimesë nga Rusia e detyroi të ndryshonte këtë politikë. Pra, NATO-ja nuk ka qenë kurrë kërcënim për Rusinë – më së shumti, ka qenë pengesë për ambiciet neoimperialiste të Moskës.

spot_img

Latest articles

Related articles