Nga Elton Qyno
Dalja e emrit të ish-drejtoreshës së Postës së Durrësit, Etleva Budini, sot deputete e Partisë Socialiste, ka çuar Prokurorinë e Durrësit në shpalljen e moskompetencës lëndore për hetimin e skandalit të vjedhjes së mbi 700 mijë eurove në postën e qytetit bregdetar.
Vendimi për shpalljen e moskompetencës është marrë nga prokurori Gazmend Frëngu, i cili gjatë hetimeve të kryera ka konstatuar se zyrtarët e postës kanë funksionuar si grup i strukturuar kriminal, ku ka dyshime të arsyeshme se është përfshirë edhe deputetja e PS-së, Etleva Budini.
Kjo e fundit, para se të bëhej deputete e Kuvendit të Shqipërisë, ka mbajtur detyrën e drejtoreshës së Postës në Durrës.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se hetimi i kryer nga prokurori Frëngu ka çuar në dyshime të forta se vjedhjet e parave të pensionistëve janë kryer edhe gjatë kohës kur posta drejtohej nga Etleva Budini.
Të implikuar në këtë skemë dyshohet se janë edhe njerëz të jashtëm të postës së Durrësit, të lidhur ngushtë me një grup kriminal në zonën e Sukthit.
Ndërkohë, aktualisht për këtë çështje nën hetim janë vënë dhe arrestuar ish-drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj, ish-shefja e financës, Valbona Duni, si dhe arkëtarja Paola Dana.
Tashmë dosja do të shqyrtohet nga SPAK-u, për shkak të dyshimeve mbi përfshirjen e një grupi të strukturuar kriminal dhe të personave të tjerë që sot gëzojnë imunitet parlamentar, siç është rasti i deputetes Etleva Budini.



