NATO ka vendosur të reduktojë takimet e nivelit të lartë dhe nuk do të zhvillojë në Shqipëri samitin e liderëve të parashikuar për vitin 2027. Sipas një raportimi të Associated Press, vendimi vjen në një kohë tensionesh brenda aleancës për shpenzimet e mbrojtjes, qëndrimin ndaj Iranit dhe luftën në Ukrainë.
Kryeministri Edi Rama deklaroi të enjten se ende nuk ka një qëndrim të përbashkët për kohën kur do të mbahet samiti, duke konfirmuar se ai nuk do të zhvillohet në vitin 2027. Sipas tij, nëse do të ketë një samit në vitin 2028, ai do të organizohet në Tiranë.
Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u përpoq të minimizonte rëndësinë e shtyrjes. Në një intervistë për Associated Press, ai tha se aleanca është fleksibël për organizimin e samiteve dhe se ato mbahen kur ka nevojë.
“Ne jemi fleksibël me samitet e NATO-s. Ne kemi samite kur kemi nevojë për to”, u shpreh Rutte, duke shtuar se takimi i ardhshëm do të zhvillohet në kohën e duhur.
Deri rreth një dekadë më parë, NATO organizonte samite çdo dy vjet, ndërsa tashmë po shqyrton edhe riorganizimin e takimeve ministrore.
Shkurtohen edhe takimet ministrore
Ndryshimet nuk prekin vetëm takimet mes presidentit amerikan Donald Trump dhe liderëve të tjerë të aleancës. Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s zakonisht zhvillojnë një takim në tetor, por muajin e kaluar nuk pati bisedime dhe asnjë takim i tillë nuk është parashikuar për tetorin e vitit 2027.



