Policia e Tiranës ka arrestuar 3 persona dhe ka proceduar penalisht 18 të tjerë, për veprime të kundërligjshme gjatë protestës së djeshme në Tiranë.
Blutë e Tiranës po ashtu bëjnë me dije se kanë vendosur 44 gjoba, dy prej të cilave në vlerën 500 000 lekë.
Njoftimi i plotë
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës dhe veprimeve të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme, u arrestuan shtetasit:
-E. K., 33 vjeç, pasi dyshohet se ka dëmtuar trafikndarëset, si dhe ka thyer stendat e reklamave në rrugën “Muhamet Gjollesha”;
-I. R., 23 vjeç, pasi gjatë shoqërimit në Komisariat ka goditur një punonjës policie, për shkak të detyrës;
-Një i mitur, 15 vjeç, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik”.
Gjithashtu, 18 shtetas të tjerë u proceduan penalisht.
Ndërkohë, në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 44 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative të kryera gjatë tubimit të djeshëm, dy prej të cilave janë në vlerën 500 000 lekë.
Specialistët për Hetimin e Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



