“Përqafimi në errësirë” që mund të na kushtojë 6 miliard dollarë!

spot_img
Advertisements

Zef Preçi
Në fund të prillit, në prani të kryeministrit dhe ambasadores amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, kompania shtetërore Albgaz nënshkroi me kompaninë greke Aktor LNG USA një kontratë 20-vjeçare për furnizimin e Shqipërisë me gaz natyror të lëngshëm amerikan.
Ceremonia u paketua dhe u shit nga propaganda qeveritare si akt gjeopolitik. Por gjashtë muaj më pas, pas raportimeve të Wall Street Journal (WSJ) mbi rolin e ambasadores në promovimin e kompanisë, dorëheqjes së saj, kërkesave për hetim nga SPAK dhe pranimit nga Ministria e Energjisë se ende priste studimin e fizibilitetit që duhej kryer para nënshkrimit, është koha të bëjmë atë që nuk u bë për publikun atëherë: të lexojmë faturën.
Ajo që dihet me siguri: 1 miliard metra kub gaz në vit, për 20 vjet, duke nisur nga viti 2030; vlera e deklaruar rreth 6 miliardë dollarë – ose 6 miliardë euro sipas raportit të vetë grupit Aktor Group për vitin 2025; furnizuesi fillestar, kompania Venture Global e SHBA-së, i blerë nëpërmjet ndërmjetësit grek; konfirmim verbal i drejtuesve të grupit në muajin qershor se kontrata përmban klauzolën “take-or-pay”; deklarim në tetor i avokatëve të Aktor-it ndaj WSJ se marrëveshja është “detyruese për palët” dhe i nënshtrohet arbitrazhit ndërkombëtar.
Sipas kësaj klauzole, që përdoret zakonisht në kontratat afatgjata të furnizimit me gaz dhe energji, shteti shqiptar, si blerës, detyrohet ose të marrë një sasi minimale të gazit të përcaktuar në kontratë dhe ta paguajë atë, ose të bëjë pagesën e parashikuar edhe nëse nuk e merr atë sasi.
Një kontratë që i ngarkon buxhetit të shtetit një pagesë të mundshme prej rreth 300 milionë dollarësh në vit – edhe në vitet kur hidrocentralet e Drinit prodhojnë plotësisht – një detyrim 20-vjeçar i qeverive të ardhshme shqiptare, i nënshkruar pa garë, në mungesë të një studimi fizibiliteti të publikuar dhe pa debatin e nevojshëm parlamentar që duhet të shoqërojë marrëveshjet ndërkombëtare në emër të shtetit.
Derisa të ndërtohet infrastruktura shqiptare, gazi i rigazifikuar në Revythousa të Greqisë do të hyjë në Shqipëri përmes TAP-it. Sipas drejtuesve të kompanisë, kapaciteti i rezervuar për Shqipërinë është vetëm 0,16 miliardë metra kub në vit, rreth gjashtë herë më pak se detyrimi prej 1 miliard metra kub.
Sa e gatshme është ekonomia shqiptare në përdorimin e gazit?
Le të shohim të dhënat. Shqipëria nuk disponon një rrjet kombëtar të transmetimit dhe të shpërndarjes – aktiviteti kryesor operativ i Albgaz-it është mirëmbajtja e segmentit të TAP-it. Nuk zotëron as depozita gazi. Nuk ka një konsum industrial të rëndësishëm – energjia nga gazi është praktikisht zero në bilancin tonë energjetik. Qytetet nuk kanë rrjete komunale të gazit; projekti i vetëm i shpërndarjes (Korça) është në fazën fillestare. Nuk ekziston një treg i brendshëm ku gazi të ketë çmim, kontraktues dhe konkurrencë.
Fatura e fshehur e arbitrazhit
Detyrimi ndaj Aktor-it nuk është fjalë në erë apo deklaratë politike. Ka një precedent: në 2020-ën, arbitrazhi i ICC-së dënoi shtetin shqiptar me rreth 44 milionë dollarë për autostradën Tiranë–Elbasan. Vendimi u konfirmua nga Gjykata e Apelit të Parisit në 2022 dhe detyrimi mbetet i pa shlyer.
Tërheqja nga kontrata 20-vjeçare e gazit të lëngshëm mund të sjellë pretendime për qindra miliona dollarë dëmshpërblim, plus interesa, duke rënduar mbi profilin e rrezikut, koston e huamarrjes dhe besueshmërinë kontraktuale të vendit deri në 2050.
Çfarë duhet bërë tani?
Së pari, mendoj se nevojitet publikimi i plotë i kontratës – pa të cilin çdo debat mbetet vetëm një hamendësim.
Së dyti, asnjë garanci shtetërore nuk duhet të nënshkruhet përpara se të publikohet studimi i fizibilitetit që vetë ministria përgjegjëse po pret dhe përpara verifikimit parlamentar të klauzolave të marrëveshjes.
Së treti, SPAK-u duhet të përfundojë në mënyrë të përshpejtuar hetimin e kërkuar nga opozita dhe jo vetëm për procesin e nënshkrimit të marrëveshjes me Aktor LNG USA – kurrsesi për të ndëshkuar bashkëpunimin me SHBA, por për të verifikuar nëse kushtet janë negociuar në interes të shtetit apo të kompanisë ndërmjetëse.

spot_img

Latest articles

Related articles