Shtetëzimi i shërbimit jetik të hemodializës duket se e ka gjetur të papërgatitur shtetin shqiptar, i cili para 10 vitesh e kishte dhënë me koncesion dhe synonte që ta vijonte te e njëjta firmë, por kësaj herë në formën e tenderit. Ndryshimet në drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të OSHISH kanë sjellë amulli, ku Operatori që ka marrë në dorë “frenat” e disa shërbimeve mjekësore, po i kanalizon paratë te të njëjta duar.

Ditët e fundit OSHISH ka shpallur fituesin e një tjetër procedure, e cila është bërë me negocim, pra s’ka pasur garë. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “shërbim analiza për procesin e hemodializës”, me një afat 180 ditë, me kusht ndërprerjen e kontratës pa pasoja për AK me administrimin e MK së lidhur nga procedura konkurruese.
Fondi limit ka qenë 46 milionë lekë, ose rreth 513 mijë euro. Firma që negocioi me shtetin është “Cambridge Clinical Laboratories” e cila ofroi për këtë shërbim 44.6 milionë lekë, ose shumë afër fondit limit.
Mediat zbuluan nga Qendra Kombëtare e Biznesit se 90 % të aksioneve i ka firma “Cambridge Pathology B.V.” shoqëri me përgjegjësi të kufizuar holandeze. Pronare e firmës rezulton Zoya Georgieva Gyurova, një shtetase bullgare dhe Nikita Vinogradov, një shtetas rus, lindur më 1991.



