Dritan Hila: Veliaj sajon, do të krijojë parti

spot_img
Advertisements

Nga Dritan Hila

Letra e shkruar nga Erion Veliaj është një goditje e cila nuk do kalojë pa lënë gjurmë. Ajo shënon shkëputjen politike por edhe personale të tij nga Edi Rama dhe si e tillë meriton një analizë.

Çfarë është e vërtetë në gjithë këtë sagë dhe çfarë është krijim?

Në planin personal, Veliaj i ka prerë dy herë urat me Edi Ramën. Herën e parë kur i thotë ik dhe të dytën kur e quan pa dinjitet. Mungojnë vetëm të sharat që lëshon turma poshtë dritares.

A janë të vërteta tre kërcënimet e Ramës?

Ashtu si gjurma e gishtave është e pangatërrueshme me një të dytë, edhe stili i të shkruarit apo të folurit, nuk ngjan me një të dytë. Si rrjedhim, tre kushtet e Ramës nuk ngjajnë fare me stilin origjinal të tij. A ka të bëjë kjo me deformimin që mund t’ju ketë bërë Gogu në transmetim (nëse e ka bërë një të tillë)? Mbase! Por nuk është vetëm kjo ana e dyshimtë.

Kërcënimi se do ta çojë në një burg akoma më të keq, nuk është në stilin e Ramës. Rama e bën dhe pikë.

Kushti që t’ia kalonte Arbër Hajdarit, ngjan më shumë si një sajesë e Veliaj pasi përmendja e këtij emri nuk ka pse përmendet nga Rama pasi në momentin që Veliaj jep dorëheqje e cakton Rama administratorin. Por mesa duket Veliaj nuk ka më lidhje me konjukturat brenda PS dhe në bashki.

Pika e tretë ku kërkon që të heqë dorë nga Plarent Ndreca, duket më shumë sikur në momentin e të shkruarit të letrës, ia ka kërkuar Plarenti ta shtojë këtë pikë.

Le të kthehmi tek ministri i drejtësisë Toni Gogu.

Veliaj ankohet që miku i tij i vjetër nuk e ka takuar prej 20 muajsh. E vërteta është që Gogu ishte një ndër dy njerëzit që publikisht nuk e mohoi miqësinë me Veliaj, pavarësisht kostove që mund t’i sillte. Dhe ky është karakter. Pse nuk e ka takuar, nuk ka lidhje me raportin mes dy ish miqve.

Veliaj ka promovuar pranë Ramës disa njerëz, sikurse Rama ka promovuar vetë Veliaj në PS, pavarësisht abrazivitetit që kjo ngjalli tek socialistët, nisur nga e shkuara e “Mjaft” si OJF që protestoi dy vjet rresht kundër qeverisjes së tyre.

Ngritja e pluhurnajës pse Gogu ka vajtur në darkë vonë në takim, pse nuk ka pasur shoqërues në këtë takim, e të tjera, janë broçkulla të njerëzve që nuk kamë punuar kurrë në administratë por janë të zot të shpjegojnë qoftë si duhet të funksionojë ajo, kur duhen krasitur pemët apo si duhet shkuar në Mars. Një drejtues shkon kur të dojë për kontroll apo takim; nuk është i detyruar të ketë shoqërues sikur nuk ka të tillë kur bën takime në zyrë, sikurse ka të drejtë të takojë nëse e shikon të nevojshme, këdo pa dëshmitarë dhe pa orare. Nuk e di nëse takimi i Gogut me Veliaj ka qenë i autorizuar nga Rama, por nëse jo, atëherë deklarata e Veliaj ka qenë një thikë pas shpine për një mik të vjetër.

Mesa duket Veliaj i ka hyrë rrugës së përplasjes me Ramë dhe krijimit të një force të re politike, me idenë të kafshojë një copë nga PS. Kjo meriton analizë më vete. Por fillimi nuk duket se është nga ato ku parzmorja shkëlqen nga dielli i principeve, por ka nisur që në fillim me topa balte.

spot_img

Latest articles

Related articles