Partizani ka marrë fitoren e parë nën drejtimin e trajnerit Mislav Karoglan, duke mposhtur Teutën në transfertë me rezultatin minimal 0-1.
Skuadra kryeqytetase zhvilloi një ndeshje të kujdesshme në prapavijë përballë ekipit të Edlir Tetovës, të cilët ishin vazhdimisht në kërkim të golit të avantazhit.
Portieri Qirko u kthye në protagonistin kryesor për “demat”, duke bërë disa ndërhyrje shpëtimtare gjatë gjithë takimit për të ruajtur portën të paprekur.
Fati i kësaj sfide të zhvilluar në “Niko Dovana” u vendos në minutën e 58-të të pjesës së dytë. Mbrojtësi Atanaskoski doli në ndihmë të sulmit dhe lëshoi një gjuajtje të fortë nga jashtë zonës duke mposhtur portierin Bernardoni.
Situata u vështirësua edhe më shumë për durrsakët në minutën e 83-të, kur Përgjoni u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la skuadrën me dhjetë lojtarë.
Vendasit provuan të reagonin në minutat e mbetura për të shmangur disfatën, por Partizani menaxhoi saktë rezultatin deri në vërshëllimën përfundimtare.
Pavarësisht fitores, Partizani mbetet në fund me shtatë pikë, ndërsa Teuta mban vendin e dytë me 20 pikë.



