Kërkimfalja e aktorit rikthen në vëmendje edhe historinë e pazakontë të personazhit, i cili fillimisht ishte menduar si shqiptar, përpara se të merrte identitetin kazak që e bëri të famshëm në mbarë botën.
Aktori britanik Sacha Baron Cohen ka kërkuar falje publikisht për herë të parë ndaj qytetarëve të Kazakistanit për mënyrën se si vendi i tyre është paraqitur përmes personazhit të famshëm të Boratit.
Gjatë një deklarate, aktori pranoi se kritikat e ambasadës së Kazakistanit në fillim të projektit ishin të drejta, duke shpjeguar se personazhi i Boratit fillimisht nuk ishte menduar të vinte nga ky shtet.
“Kisha filluar ta zhvilloja Boratin për BBC-në dhe në atë kohë ai ishte nga Shqipëria. Dua t’u kërkoj falje njerëzve të Kazakistanit, sepse Borati nuk ka asnjë lidhje me Kazakistanin.Kombësia ndryshonte vazhdimisht, në varësi të televizionit që financonte projektin. Fillimisht ishte shqiptar, më pas mendova për Moldavinë dhe kur HBO e bleu projektin, më duhej një vend tjetër. Mendova: Cili është një vend për të cilin askush nuk di pothuajse asgjë? Kazakistani.”-ka rrëfyer Cohen.



