Pas 34 ditësh hetime, autoritetet greke kanë zbardhur rrethanat e shpërthimit tragjik në zonën e Plakës në Athinë, ku humbën jetën gjashtë persona, mes tyre edhe tre shqiptarë, Florina Hoxha dhe bashkëshorti i saj, Ian Alexander Kirkpatrick, vëllai i Florindës, Florin Hoxha dhe bashkëshortja e tij Eris Çani, të cilët ishin në pritje të fëmijës së tyre të parë.
Në pranga kanë përfunduar tre persona, dy shtetas grekë dhe një shqiptar, të dyshuar se shkaktuan rrjedhjen fatale të gazit gjatë tentativës për të vjedhur tuba bakri nga instalimet e një pallati.
Florinda Hoxha dhe bashkëshorti i saj, Ian Alexander Kirkpatrick, të cilët ishin martuar së fundmi dhe ndodheshin në Greqi për muaj mjalti.
Provat kryesore që çuan në zbulimin e ngjarjes ishin pamjet e kamerave të sigurisë dhe rezultatet e analizave laboratorike të kryera nga laboratorët e Universitetit Politeknik.
Nga hetimet rezulton se disa orë para shpërthimit, tre personat iu afruan ndërtesës trekatëshe në Plaka. Dy prej tyre dyshohet se hynë brenda dhe u drejtuan drejt shkallëve të brendshme, ku ndodhej matësi i gazit natyror. Në përpjekje për të marrë tubat e bakrit, ata prenë një nga tubacionet e furnizimit me gaz, duke shkaktuar rrjedhjen.
Pamjet filmike tregojnë se dy të dyshuarit u larguan me shpejtësi nga ndërtesa, duke mbajtur me vete një pjesë tubi bakri. Ndërkohë, analizat laboratorike ndihmuan hetuesit të përcaktonin pikën e saktë ku ishte dëmtuar instalimi i gazit.
Gazi u grumbullua në katin e dytë, shpërthimi mori gjashtë jetë
Pas prerjes së tubacionit, gazi natyror u përhap në ambientet e ndërtesës dhe u grumbullua në katin e dytë, ku banonte një çift i moshuar.
Sipas skenarit që po hetojnë autoritetet, shpërthimi mund të jetë shkaktuar kur gruaja e moshuar u ngrit dhe ndezi një çelës elektrik, duke shkaktuar shpërthimin. Nga fuqia e shpërthimit, një pjesë e ndërtesës u shemb, duke shkaktuar vdekjen e gjashtë personave.
Mes viktimave ishin edhe tre shqiptarë, të cilët ndodheshin në apartamentin ku ndodhi tragjedia.



