Qeveria shqiptare ka shpenzuar nga taksat e qytetarëve mbi 45 milionë lekë të reja ose rreth 500 mijë euro për siguracionin e jetës dhe shëndetit të ish-anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), shkalla e parë e Vetingut.
Shifrat janë përmbledhur në një raport të publikuar më herët të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
“Sa i përket sigurimit të jetës dhe/ ose shëndetit për Komisionerët, personat e lidhur me ta, këshilltarët, si dhe punonjësit e KPK, përgjatë viteve periudhë auditimi, vlera totale e kontraktuar është 46.464.536 lekë pa TVSH”, thuhet në Auditin e Përputhshmërisë së realizuar nga KLSH në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, publikuar në vitin 2026.

Sipas analizave thuajse të gjitha procedurat për siguracionin e anëtarëve të shkallës së parë të Vetingut, janë fituar nga një kompani e vetme, “Sigal”.
Gjithashtu, në dokumentat zyrtare të tenderave zbulohet se të gjitha procedurat e fituara nga ‘Sigal” për llogari të strukturave të Vetingut janë fituar pa garë, duke u sinjalizuar me “flamurin e kuq”.
Siguracion për dhëmbët
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u formalizua në vitin 2017 dhe funksionoi deri në vitin 2024. Qëllimi i kësaj strukture ishte realizimi i procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve (Vetingu).
Për shkak të rolit të tyre të rëndësishëm, legjislatori parashikoi shpenzime të tepruara për ta, përfshirë edhe siguracion gjithëpërfshirës për jetën dhe shëndetin e tyre.
Megjithatë, dëshira për t’i trajtuar sa më mirë 12 anëtarët e KPK-së arriti në nivele thuajse absurde.
Procedurat tenderuese për siguracionin e jetës dhe shëndetit të tyre parashikonin mbulime shpenzimesh edhe për probleme, të cilat nuk dukej aspak e arsyeshme që të përfshiheshin në mbulimet e kostove nga ana e Shtetit/Boldnews




