Kryeministri Edi Rama ka ftuar organizatat e shoqërisë civile të marrin nismën për dialog mes qeverisë dhe protestuesve, duke garantuar se është i gatshëm të ulet në bisedime në çdo kohë, në çdo vend dhe pa kushte. Por ftesën e ka shoqëruar me një kërkesë të drejtpërdrejtë: organizatat të distancohen nga dhuna gjatë protestave, zjarrvëniet ndaj institucioneve dhe keqpërdorimi i të miturve.
Reagimi vjen pasi mbi 20 organizata të shoqërisë civile u bënë thirrje përfaqësuesve të politikës dhe drejtuesve të shtetit të shmangin retorikën nxitëse, të krijojnë hapësirë për dialog dhe të mbrojnë të drejtën e protestës paqësore, jetën dhe dinjitetin e çdo personi.
“Respektimi i të drejtës së protestës paqësore. Mbroni jetën dhe dinjitetin e çdo personi. Asnjë jetë nuk duhet vënë në rrezik”, thuhet në tekstin e firmosur nga organizatat, mes të cilave janë Civil Rights Defenders Shqipëri, SCiDEV, Rrjeti AWEN, BIRN Albania, Citizens.al, Qendra Amfora dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.
Rama ka publikuar në Facebook një pjesë të deklaratës së tyre, duke u kërkuar të japin vetë shembullin e dialogut. Në të njëjtën kohë, ai ka mbrojtur qëndrimin e policisë, duke argumentuar se protestuesit paqësorë rrezikohen nga personat e dhunshëm dhe jo nga forcat e rendit.



