Gjatë inspektimit të dëmeve në një biznes, Kryeministri prezantoi hapësirën e re “Dëmi im” në portalin e-Albania, e cila do të mundësojë regjistrimin e dëmeve të shkaktuara përmes një procedure të dedikuar online. Platforma do të shërbejë për mbledhjen e të dhënave mbi dëmet e raportuara, dokumentacionit mbështetës dhe informacionit përkatës, duke krijuar një regjistër të plotë që do të shërbejë si bazë për procesin e verifikimit dhe vlerësimit.
Krahas kësaj hapësire, janë ngritur 10 grupe pune për verifikimin e dëmeve në terren. Pas përfundimit të procesit të evidentimit dhe verifikimit të dokumentacionit, si dhe të të dhënave përkatëse, do të përcaktohen hapat e mëtejshëm për mbështetjen e të dëmtuarve.
Kryeministri Edi Rama: Mos keni asnjë merak. Sot kemi caktuar 10 grupe që do bëjnë verifikime, ndërkohë kemi bërë gati një dritare që do shfaqet sot tek e-Albania, quhet “Dëmi im” dhe këtu do mund të regjistroheni duke futur të gjithë të dhënat: emër, mbiemër, identitetin e personit dhe NIPT-in dhe pastaj patjetër email-in, telefonin, të dhënat, sipërfaqja, kompania sigurimit nëse keni apo s’keni sigurim, parashikimi i dëmit të shkaktuar dhe pastaj do ngarkoni dokumentat që janë pamjet së bashku me çdo dokumentacion mbështetës që keni, fatura etj. Do shikohet dhe raporti me shtetin për sa i përket pagesave të detyrimeve dhe mbasi të bëjmë të gjithë verifikimet dhe të mbledhim një regjistër të të gjitha dëmeve. Patjetër që ne do t’ju vijmë në ndihmë të gjithëve.



