Franca po përjeton një nga valët më të mëdha të protestave studentore të viteve të fundit. Qindra mijëra nxënës, studentë dhe sindikata dolën sot në rrugë në të gjithë vendin, ndërsa demonstratat u shoqëruan me përplasje me policinë në Paris, barrikada në Strasburg dhe ndërhyrje të forcave të rendit edhe në qytete të tjera.
Sipas organizatorëve, në protestat e sotme morën pjesë rreth 450 mijë persona, ndërsa Ministria e Brendshme franceze e vlerëson pjesëmarrjen në rreth 250 mijë. Vetëm në Paris, organizatorët flasin për rreth 100 mijë protestues, ndërsa autoritetet japin shifrën 56 mijë.
Lëvizja nisi në fund të shtatorit dhe është përhapur me shpejtësi në të gjithë vendin. Nxënësit kërkojnë më shumë investime në arsim, mësues që të zëvendësojnë mungesat, klasa më pak të mbingarkuara dhe godina shkollore në kushte më të mira. Ata ankohen gjithashtu se shumë shkolla nuk janë të përshtatura për temperaturat e larta që goditën Francën gjatë verës.
Sot, sipas sindikatës së nxënësve, u bllokuan ose u mbyllën 1.800 lice nga rreth 3.700 që ka Franca, ndërsa Ministria e Arsimit tha se mësimi u pezullua plotësisht ose pjesërisht në 891 shkolla të mesme.
Në Paris, protesta u zhvillua nga Place de la République drejt Place de la Nation. Demonstrues hodhën fishekzjarre dhe mjete piroteknike drejt policisë, ndërsa forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.
Edhe liceu prestigjioz Henri IV, një nga më të njohurit në Francë, u bllokua nga vetë nxënësit. Përpara hyrjes u ngritën barrikada me kosha mbeturinash dhe pankarta ku shkruhej: “Arsimi është një e drejtë, jo privilegj i të pasurve”, “Jemi këtu për të protestuar, jo për të shkatërruar” dhe “Rinia flet, policia shtyp”.
Ndërkohë, në Strasburg u ngritën barrikada dhe pati përplasje me policinë, ndërsa në qytete të tjera si Lioni, Reni, Nanta dhe Monpelje pati demonstrata të mëdha. Në disa raste policia përdori topa uji për të shpërndarë turmat.
Për shkak të përshkallëzimit të situatës, presidenti Emmanuel Macron pritet të zhvillojë një takim me kryeministrin Sébastien Lecornu, ministrin e Brendshëm Laurent Nuñez dhe ministrin e Arsimit Édouard Geffray për të diskutuar krizën dhe hapat e mëtejshëm të qeverisë.



