Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë – Forum 26 ka paraqitur qëndrimin dhe propozimet e tij për ndryshimet në ligjin nr. 35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, në kuadër të procesit të shqyrtimit parlamentar të projektligjit. Për finalizimin e dokumentit, Forumi ka kërkuar edhe ekspertizën e International Authors Forum (IAF), organizatë ndërkombëtare ku Forum 26 është anëtar.
Dokumenti i Forum 26 përqendrohet në shtatë çështje që prekin drejtpërdrejt pozitën e shkrimtarëve dhe përkthyesve letrarë: transparencën në marrëdhënien autor–botues, përcaktimin e qartë të të drejtave që transferohen me kontratën e botimit, shpërblimin e drejtë dhe proporcional, rikthimin e të drejtave kur vepra nuk shfrytëzohet, regjistrimin e kontratave të botimit, nxjerrjen e tekstit dhe të dhënave (TDM) në raport me zhvillimet e inteligjencës artificiale, si dhe huadhënien publike dhe shpërblimin e autorëve.
Forum 26 e vlerëson pozitivisht përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian dhe disa prej mekanizmave të rinj që parashikon projektligji. Mes tyre janë parimi i shpërblimit të drejtë dhe proporcional, detyrimi për transparencë, mundësia që autori të kërkojë shpërblim shtesë kur pagesa e parashikuar fillimisht rezulton joproporcionalisht e ulët në raport me të ardhurat e mëvonshme, si dhe mundësia e rikthimit të të drejtave kur vepra nuk shfrytëzohet.
Një nga propozimet kryesore të Forum 26 lidhet me transparencën në marrëdhënien mes autorit dhe botuesit. Sipas Forumit, detyrimi ligjor për t’i dhënë autorit informacion mbi shfrytëzimin e veprës duhet të shoqërohet me një standard minimal raportimi. Për sektorin e librit, ky informacion duhet të përfshijë, sipas rastit, tirazhin dhe ribotimet, numrin e kopjeve të shitura dhe atyre të mbetura në stok, të ardhurat nga shitjet, shfrytëzimin elektronik ose audio dhe licencimet e mëtejshme të të drejtave.
Një tjetër propozim kërkon që ligji të përcaktojë qartë se autori transferon vetëm ato të drejta që janë shprehur në kontratë. Sipas Forum 26, dhënia e së drejtës për botimin e një libri në formë të shtypur nuk duhet të nënkuptojë automatikisht kalimin e të drejtave për librin elektronik, audiolibrin, përkthimin në gjuhë të tjera, dramatizimin apo përshtatjen audiovizive.
Vëmendje e veçantë në dokument i kushtohet edhe inteligjencës artificiale dhe përdorimit të veprave të mbrojtura. Projektligji trajton nxjerrjen e tekstit dhe të dhënave (Text and Data Mining – TDM), ndërsa Forum 26 kërkon që të qartësohen kufijtë ndërmjet përjashtimeve të parashikuara për TDM dhe përdorimit të veprave për trajnimin dhe zhvillimin e sistemeve të inteligjencës artificiale.
Pikërisht në këtë fushë, si dhe për transparencën kontraktore dhe huadhënien publike, Forum 26 ka marrë komente nga International Authors Forum (IAF). Në ekspertizën e përcjellë Forumit, IAF ka vënë theksin, në kontekstin e përdorimit të veprave për zhvillimin e inteligjencës artificiale, te tri parime: transparenca, pëlqimi kuptimplotë i autorit dhe shpërblimi i drejtë. IAF ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e licencimit individual ose kolektiv si një mekanizëm për përdorimin e ligjshëm të veprave.
Gjatë finalizimit të propozimeve, Forum 26 ka marrë në konsideratë edhe dokumentin e IAF-së “Dhjetë parimet për kontrata të drejta” (Ten Principles for Fair Contracts), i cili trajton ndër të tjera kohëzgjatjen e kontratave, përcaktimin e qartë të të drejtave të transferuara, pjesëmarrjen e autorit në suksesin ekonomik të veprës, rikthimin e të drejtave kur ato nuk shfrytëzohen dhe raportimin e rregullt e transparent ndaj autorit.
Një tjetër çështje e ngritur është huadhënia publike e librave. Forum 26 mbështet krijimin e një sistemi funksional të shpërblimit për huadhënien nga bibliotekat publike, por kërkon që mekanizmi të jetë transparent, i verifikueshëm dhe i përshtatur me kushtet ekonomike e institucionale të Shqipërisë. Në përputhje edhe me sugjerimet e IAF-së, skema duhet të njohë kategoritë e ndryshme të krijuesve që kontribuojnë në veprën e botuar, përfshirë autorët, përkthyesit dhe ilustratorët.
Forum 26 thekson në dokument edhe statusin e përkthyesit letrar si autor i përkthimit, duke kërkuar që garancitë për transparencën, shpërblimin e drejtë dhe proporcional, rikthimin e të drejtave dhe huadhënien publike të zbatohen efektivisht edhe për përkthyesit.
Sipas Forumit, propozimet nuk synojnë të kufizojnë lirinë kontraktore apo të krijojnë barrë të panevojshme për botuesit, por të ndërtojnë marrëdhënie më të qarta, transparente dhe të balancuara ndërmjet autorëve dhe subjekteve që shfrytëzojnë veprat e tyre.
Forum 26 ka bërë publik dokumentin e plotë me shtatë qëndrimet dhe propozimet, në shqip dhe në anglisht.
https://forum26permesfjaleve.org/activities/239



