Shqipëria e çoi çështjen në gjykatë pasi kishte humbur afatin trevjeçar. Apeli i Parisit shpalli mungesën e juridiksionit dhe ngarkoi shtetin me 20 mijë euro të tjera shpenzime. Paditë penale të paralajmëruara nga kryeministri nuk e zhbëjnë automatikisht vendimin e arbitrazhit
Kryeministri Edi Rama deklaroi në Kuvend se biznesmeni italian Francesco Becchetti do të marrë “zero lekë” nga Shqipëria, pavarësisht vendimit ndërkombëtar që e detyron shtetin shqiptar të paguajë rreth 110 milionë euro për çështjen e “Agon Channel”.
Por një vendim i Gjykatës së Apelit në Paris, i siguruar fillimisht nga Syri Televizion, paraqet një realitet juridik shumë më të rëndë për Shqipërinë: kërkesa e qeverisë shqiptare është rrëzuar, ndërsa vendimi i arbitrazhit nuk është shfuqizuar.
Dokumenti tregon gjithashtu se Shqipëria e ka ngritur një prej kërkesave për rishikim pasi kishte përfunduar afati trevjeçar i parashikuar nga Konventa e Uashingtonit.
Në këtë situatë, deklarata politike se Becchetti nuk do të marrë asnjë qindarkë nuk mbështetet nga rezultati i deritanishëm i proceseve civile ndërkombëtare.
Mesazhet (SMS) e dërguara nga Erion Veliaj drejt biznesmenit Francesco Becchetti u përdorën nga Gjykata e Arbitrazhit si prova të presionit politik dhe shantazhit ndaj mediave të tij (Agon Channel), duke u bërë një nga elementët kyç që çuan në dënimin e Shqipërisë me dhjetëra miliona euro dëmshpërblim.



