Protestat dhe kundërshtimet lokale nuk e kanë lëvizur hartën e socialistëve. PS shkon drejt votimit të reformës me 46 bashki pa marrëveshje me PD-në, ndërsa 8 tetori është caktuar si dita e miratimit në Kuvend.
As protestat në Divjakë, as kundërshtimet në Përrenjas dhe bashkitë e tjera që zhduken nga harta nuk e kanë bindur Edi Ramën të lëshojë qoftë edhe një prej 15 bashkive që socialistët kanë vendosur të shkrijnë.
Më 8 tetor harta e re territoriale shkon për miratim në Kuvend. Kalendari parlamentar i lë reformës rreth tri javë diskutime në Komisionin e Ligjeve, por destinacioni politik është përcaktuar: Shqipëria do të kalojë nga 61 në 46 bashki.
Kjo do të jetë hera e dytë që socialistët nën qeverisjen e Edi Ramës ndryshojnë hartën administrative të vendit. Dhe, njësoj si në vitin 2014, reforma po shkon drejt votës pa konsensusin e opozitës. PD kërkon një hartë me rreth 100 njësi vendore, ndërsa PS ka vendosur për 46.
Por këtë herë rezistenca nuk ka ardhur vetëm nga opozita.
Në bashkitë që humbasin statusin, kundërshtimet kanë kapërcyer vijat partiake. Këshilltarë të majtë dhe të djathtë janë bashkuar në përpjekje për të kundërshtuar hartën, ndërsa në Divjakë protesta kishte arritur në fillim të shtatorit në ditën e 41-të. Edhe Përrenjasi ka kundërshtuar bashkimin me Librazhdin.
Por asgjë nga këto nuk ka ndryshuar listën.
Fushë-Arrëzi, Klosi, Rrogozhina, Dimali, Poliçani, Patosi, Divjaka, Selenica, Maliqi, Këlcyra, Memaliaj, Libohova, Cërriku, Belshi dhe Përrenjasi janë 15 bashkitë që humbasin statusin e tyre në variantin që shkon drejt votimit.
Rrogozhina i bashkohet Kavajës. Cërriku dhe Belshi kalojnë me Elbasanin, ndërsa Përrenjasi me Librazhdin. Këlcyra bashkohet me Përmetin, Memaliaj me Tepelenën dhe Libohova me Gjirokastrën.
Patosi i bashkohet Fierit dhe Divjaka, Lushnjës. Fushë-Arrëzi kalon me Pukën, Selenica me Vlorën, Dimali dhe Poliçani me Beratin, Maliqi me Korçën dhe Klosi me Matin.
Pra, harta që hyri në konsultime del prej tyre praktikisht me të njëjtën shifër: 15 bashki më pak.
Tani pengesa e fundit është vota.
Reforma kërkon të paktën 84 vota dhe 8 tetori do të tregojë jo vetëm nëse PS arrin ta miratojë hartën pa PD-në, por edhe nëse kundërshtimet që kanë shpërthyer në territor kanë depërtuar brenda grupit të saj parlamentar. Sipas raportimeve të sotme, reduktimi nga 61 në 46 bashki ka krijuar pakënaqësi edhe mes socialistëve. Të shohim nëse do të sigurohet shumica e cilësuar.



