Pas polemikave që shkaktoi ekspozimi i veshjeve të Çerçiz Topullit në një manekin, ku ra në sy një portret aspak dinjitoz për një figurë kaq të rëndësishme për historinë e pavarësisë së vendit tonë, kreu i Agjencisë së Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër, Florian Hysi ka dhënë dorëheqjen. Vendimi i tij erdhi pas reagimeve të shumta dhe polemikave në rrjetet sociale, ku u kritikua mënyrë se si u shfaq manekini i tij në Muzeun e Kalasë së Gjirokastrës.
Personazhe të njohur dhe qytetarë të shumtë kërkuan nga dikasteri i drejtuar nga Blendi Gonxhe që të ndërhyjë dhe të largojë manekinin nga Muzeu, sepse sipas tyre po shëmton figurën e një heroi si Çerçizi.
“Hiqeni këtë dordolec” apelon profesori dhe gazetari i njohur Mentor Kikia, duke theksuar se autorët janë përpjekur të krijojnë një imazh të përafërt të heroit, por në fakt ka rezultuar me krijimin e një personazhi qesharak që mban veshjen, dylbitë dhe pushkën e heroit.



