Ilir Kulla, i ftuar në emisionin “Të Pashoq”, u ndal edhe te ajo që duhet të ndodhë pas vendimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e vendosur theksin te beteja juridike në Apel.
Sipas tij, veçanërisht për Jakup Krasniqin dhe Hashim Thaçin, dënimet e dhëna janë jashtëzakonisht të rënda në raport me moshën e tyre. Kulla tha se kishte dëgjuar me vëmendje arsyetimin e gjyqtarit dhe vuri në dukje nivelin e detajeve me të cilat ishin paraqitur rastet.
“Sigurisht për zotin Krasniqi dhe për zotin Thaçi, është shteruese, të përjetshme. Por ka diçka. Nuk e di nëse ju e dëgjuat, se unë e dëgjova me kujdes gjithë arsyetimin e gjyqtarit dhe i referohej rasteve, me ditë, me kohë, me numër rastesh, me llojin e veprës penale e të tjera. Që do të thotë që prokuroria ka pasur kohë dhe para, janë harxhuar shumë që ky proces të vinte deri këtu ku erdhi”, tha Kulla.
Ai ngriti gjithashtu kritika për kohëzgjatjen e paraburgimit, duke theksuar se katër ish-krerët e UÇK-së kanë kaluar rreth gjashtë vjet në paraburgim.
“Jo rastësisht ata njerëz kanë qëndruar gjashtë vjet në paraburgim, që, me thënë të drejtën, në asnjë kod të veriut nuk ka gjashtë vjet paraburgim. Kështu që unë mendoj që ndihma më e madhe që mund t’u jepet atyre njerëzve është: nuk ka më sjellje politike, emocionale dhe folkloristike nga kjo gjë”, u shpreh Kulla.
Sipas tij, energjia dhe burimet duhet të përqendrohen tani te ndërtimi i një mbrojtjeje sa më të fortë juridike për fazën e Apelit. Kulla bëri thirrje që të angazhohen juristë dhe avokatë të nivelit më të lartë të mundshëm.
“Duhet, kush mundet e ku t’i gjejnë, avokatët më të mirë dhe njerëzit më të zotë nga aftësia juridike, në mënyrë që t’u bëjnë një ndihmë ligjore dhe një detyrë ligjore, të jenë të aftë që të reduktojnë sa më shumë masën në Apel”, deklaroi ai.
Kulla paralajmëroi ndërkohë kundër idesë se protestat apo presioni politik ndaj institucioneve të drejtësisë mund të ndikojnë në rrëzimin e vendimit.
“Le ta harrojmë që kjo që ka ndodhur do zgjidhet duke bërë presion ndaj Apelit apo drejtësisë, se do t’i çojmë ata në pafajësi. Përkundrazi, mund t’i japim një efekt akoma më të keq se ai që kemi parë tani”, përfundoi Kulla.



