Del nga SPAK arkitekti që projektoi vilën e Belinda Ballukut

spot_img
Advertisements

Ka dalë nga SPAK pas disa orësh, Olsi Eftimi, arkitekti i studios “Atelier 4”. Ai u mor në pyetje në lidhje me vilën që SPAK thotë se i përket Belinda Ballukut në Green Coast, por që fshihej nën emrin e Igli Tares. Një nga provat për pronësinë reale të vilës është emaili që Eftimi i dërgonte Ballukut.

Në këtë komunikim, arkitekti i propozonte Ballukut zgjidhje estetike për një vilë në kompleksin “Green Coast” në Palasë, duke theksuar se projekti ishte rishikuar me idenë që përdoruesit e vilës të ndjeheshin “të llastuar”.

Projekt-ideja përfshinte një pishinë “infinity”, gjelbërim kacavjerrës, një tavolinë ngrënie në të njëjtin nivel me ujin dhe një pistë vrapimi pranë pishinës për seanca të gjata me pamje nga deti. Për të theksuar luksin e pakompromis, arkitekti sugjeronte vendosjen e dy vaskave hidromasazhi të frymëzuara nga hoteli i famshëm “Roccabella” në Santorini si dhe veshjen e tarracës dhe pishinës me dru “teak” për një ndjesi të ngrohtë të ngjashme me atë të një jahti.

“Kemi idenë që edhe nëse një ditë vendos ta japësh me qira, përdoruesit të mund të ndihen ‘të llastuar’ njësoj si në hotel,” i shkruante ai Ballukut. “Shihe si alternativë kur të përfundojmë edhe renderat dhe nëse s’të ngjit, kthehemi te mermerët blu,” shtonte ai.

Sipas hetimeve të SPAK, këto detaje ekskluzive luksi nuk ishin tekat e një blerësi çfarëdo, por kërkesat e drejtpërdrejta të ministres së atëhershme të Infrastrukturës, Belinda Balluku për një vilë në rivierën shqiptare që dyshohet se është përfituar përmes korrupsionit.

Sipas një vendimi të Gjykatës së Posaçme për masën e sekuestros, shpenzimet për këto kërkesa të arkitekturës variojnë nga rreth 290 deri në 410 mijë euro dhe u paguan nga kompania “Alko Impex General Construction”, e cila po shpërblehej në të njëjtën kohë me një tender prej 2.2 miliardë lekësh [rreth 23.9 milionë euro] për Unazën e Madhe të Tiranës.

Prokuroria e Posaçme pretendon se vila në Palasë është produkt i korrupsionit dhe i pastrimit të parave.

spot_img

Latest articles

Related articles