Martin Rugova
Nuk është hera e parë që Fuqitë e Mëdha tregohen të padrejta me ne. Në vitin 1878, koniunktura e Vjenës na konsideroi një “shprehje gjeografike”. Ulqini dhe tokat tona në Serbinë e sotme iu dhanë armiqve tanë shekullorë.
Në vitin 1913, agresioni sllavo-grek na degdisi në një të tretën e trojeve tona etnike. Qendra të rëndësishme historike si Janina, Manastiri, Shkupi, Prizreni, Gjakova, Peja dhe shumë qytete të tjera mbetën jashtë kufijve tanë, ndërsa shqiptarët u trajtuan shpesh si një popullsi thjesht “turke”.
Për dekada me radhë, kombi shqiptar lëngoi i copëtuar: një pjesë nën sundim të huaj, një tjetër nën despotizëm të egër shqiptar dhe, herë pas here, nën të dyja bashkë.
Do të ishte ndryshimi i interesave gjeopolitike ai që do të sillte ripërtëritjen e kombit shqiptar në dy shtete dhe një prani të rëndësishme në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi. Epiri ynë i jugut vijon të vuajë nën harresën dhe asimilimin kulturor e fetar, por ne nuk do ta harrojmë kurrë tragjedinë çame, as vëllezërit tanë të humbur suliotë e arvanitas.
Sot përballemi me një ngjarje ndjellakeqe në Kosovën tonë martire. Komandantët e luftës janë dënuar për eksese të supozuara, ndërkohë që, në këndvështrimin e mbështetësve të tyre, ata luftuan për të shporrur sundimin e egër serb nga vatrat e tyre.
Shumëkush mund të bjerë në një urrejtje të natyrshme ndaj atyre që dikur na ndanë e sot na dënojnë pse mbrojtëm tokat tona. Por nuk duhet të harrojmë se mbrojtja e interesave dhe rivendikimeve kombëtare nuk arrihet përmes shfryrjes emocionale. Ajo kërkon lobim, miqësi dhe ndikim në kancelaritë europiane, si dhe mbështetje nga aleatët tanë përtej oqeanit.
“Kokat e ftohta” në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni duhet të ripërsërisin mrekullinë e fundshekullit të 20-të. E gjithë bota demokratike duhet të njihet me tragjedinë e një populli të vuajtur, me çështjen e çlirimtarëve dhe me aspiratën për një jetë me dinjitet në trojet tona stërgjyshore.
Duhet të punojmë që Apeli Ndërkombëtar të zbusë dënimin ndaj komandantëve tanë dhe të davarisë hijet e zeza që janë rikthyer në Ballkan. Për këtë arsye, më shumë se kurrë, na duhet të forcojmë lidhjet me botën perëndimore dhe të ndërtojmë një rrjet të qëndrueshëm aleancash që i shërben paqes, sigurisë dhe interesave tona kombëtare. Kjo profilaksi arrihet përmes kontakteve me qeveritë perëndimore, forcimit të marrëdhënieve me partnerët strategjikë dhe përshpejtimit të bashkëpunimit mes Kroacisë, Kosovës, Shqipërisë dhe Turqisë.
Kombi shqiptar duhet të tregojë pjekurinë e një populli që ka kaluar shumë dhe ka mësuar ta mbrojë veten në rrugë institucionale e ndërkombëtare, jo thjesht përmes britmave nacionaliste.
Liri për çlirimtarët.



