Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, ka reaguar pas marrjes së tij nën hetim nga SPAK, duke e cilësuar çështjen si të lidhur me “ngjarje tendencioze” të vitit 2010 dhe duke mohuar se bëhet fjalë për ndonjë veprim të paligjshëm.
Duke folur në emisionin “Breaking” në Top News, Baçi tha se bëhet fjalë për dokumente dhe të dhëna financiare që lidhen me një marrëveshje të asaj kohe.
“Flasim për ngjarje të 2010-s, ngjarje që s’mund t’i quash ngjarje, janë disa letra që merr dhe i çon aty, që tregon që në këtë ditë të 2010-s kemi hedhur kaq lekë unë, kaq lekë ky. Po kur i ka gjetur lekët ky?”, u shpreh Baçi.
Baçi deklaroi se paratë i ka siguruar përmes punës dhe aktivitetit të tij ndër vite, duke përmendur edhe periudhën që ka kaluar si emigrant në Greqi.
“Lekët i kam gjetur atje ku i gjejnë të gjithë njerëzit e ndershëm, me punë, me biznes, me emigracion”, tha ai.
Baçi tregoi se kishte emigruar në Greqi në vitin 1990 dhe ishte kthyer në Shqipëri në vitin 1995. Sipas tij, pas kthimit kishte investuar në prona dhe biznese. Ai u shpreh gjithashtu i gatshëm që të verifikohet edhe aktiviteti i tij ekonomik gjatë viteve të emigracionit në Athinë.
“Jam gati të më bëjnë vetingun edhe në Athinë, t’u jap lagjet ku kam punuar, punët që kam bërë dhe atje të ma bëjnë vetingun”, deklaroi Baçi.
Baçi hodhi akuza për një sulm të sponsorizuar ndaj tij, duke thënë se sipas tij pas këtij qëndrimi fshihen persona të ndryshëm, madje edhe nga krahu politik ku ai bën pjesë.



