SPAK thotë se ka siguruar prova se vila 188/1 në Palasë është pasuri e fshehur e Belinda Ballukut dhe se, pasi Igli Tare kishte financuar ndërtimin deri në fazën e karabinasë me 250 mijë euro, punimet e mëtejshme janë marrë përsipër nga Arbër Abazi dhe kompania e tij Alko Impex, fituese e tenderit për Lotin 7 të Unazës së Madhe.
SPAK ka administruar emailet dhe komunikimet mes punonjësve të Alko Impex dhe Lorela Reçit, bashkëjetueses së Abazit dhe lidhje familjare e Ballukut, e cila kërkonte të fuste grupin e saj për të vazhduar punimet. Në një prej emaileve ndërtuese thuhet se, “me konfirmim të investitorit”, klientët do të lejoheshin të kryenin vetë punimet në vila.
Komunikime që tashmë janë pjesë e dosjes së SPAK dhe që, sipas hetimit, dokumentojnë kush u mor me punimet, kush i financoi dhe si u administrua vila 188/1, të cilën SPAK e konsideron pasuri të fshehur të Belinda Ballukut. Në këtë zinxhir dokumentesh shfaqen Igli Tare, Arbër Abazi, Lorela Reçi, njëherazi lidhje familjare e Ballukut.
Hetimet e SPAK ndaj Belinda Ballukut tregojnë se pagesat për ndërtimin e vilës nga “Alko Impex Construction” nuk ishin falas.
Sipas vendimit të gjykatës, ato u përfituan si shpërblim për një nga procedurat e prokurimit të drejtuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, tenderin “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”, me fond limit 2.2 miliardë lekë. Sipas prokurorisë, ky tender dhe të tjerë u manipuluan nën udhëzimet e Ballukut për ish-drejtorin e ARRSH-së, Evis Berberi, dhe vartësit e tij.
Në vendim vihet në dukje se procedura nisi në shkelje të plotë më 9 gusht 2021 nga zv.drejtori Gentian Gjyli pa marrë ende miratimin e Ministrisë, i cili erdhi një ditë më vonë. Afatet për kompanitë u kufizuan në kundërshtim me ligjin, ndërsa procesi kontrollohej nga celulari i Evis Berberit përmes aplikacionit “Signal”, ku ky merrte urdhrat nga Balluku dhe vinte në lëvizje vartësit.
SPAK citon disa biseda të kapura në celularin e Berberit në të cilat ky kërkon udhëzime nga Balluku për tenderat. Kështu, në 1 tetor në orën 10:50, Evis Berberi i shkruan ministres të pyesë nëse kishte ndryshime planesh. “Ok, po pres, po më duhen 3 orë kohë nëse ka ndryshime”, thotë ai. Dy minuta më vonë Balluku përgjigjet lakonike: “Asnjë ndryshim”.
Një javë më vonë, në datën 7 tetor 2021, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave shpalli fitues bashkëpunimin mes kompanive “Alko-Impex General Construction” dhe “2T” sh.p.k, me ofertë ekonomike 2.2 miliardë lekë. Pavarësisht vlerës së tenderit dhe rëndësisë së objektit, fituesi ishte në fakt garues i vetëm, pasi të gjitha kompanitë e tjera u përjashtuan më parë nga gara.



