Gjyqësori ka korrur fitoren e parë madhore në përplasjen institucionale me ekzekutivin. Gjykata Administrative ka vendosur të pranojë padinë dhe kërkesën për sigurim padie të depozituar nga strukturat gjyqësore, duke përfshirë Gjykatën e Posaçme (GJKKO).
Vendimi mban sanksionin e ekzekutimit të menjëhershëm, duke detyruar ligjërisht degët e Thesarit të Shtetit që nga dita e sotme të zhbllokojnë fondet dhe të kalojnë pagat e plota për të gjithë administratën gjyqësore dhe magjistratët në shkallë vendi.
Sipas detajeve të fundit të bëra me dije nga gazetari Arsen Rusta, kjo vendimmarrje e shpejtë shmang një ngrirje totale të llogarive të shtetit, por nga ana tjetër vendos ekzekutivin përpara përgjegjësisë absolute ligjore.
Ky vendim vjen si një përgjigje ndaj përshkallëzimit të konfliktit, i cili nisi fillimisht me një kallëzim penal në SPAK ndaj zyrtarëve të Thesarit për shpërdorim detyre dhe mosezekutim të vendimeve të mëparshme gjyqësore.
Çdo vonesë apo refuzim i mëtejshëm nga ana e zyrtarëve të financave do të ngarkonte këta të fundit me përgjegjësi direkte penale, në një kohë kur SPAK ka nisur paralelisht verifikimet për dosjen e depozituar vetëm 24 orë më parë.



