Nga Av. Tartaj Bazaj
Këtu janë përmbysur perandori, janë rrëzuar frone dhe janë shuar sundime që e mendonin veten të përjetshme. Kanë kaluar mbi këtë tokë pushtete që besonin se mund t’ia caktonin fatin këtij kombi përgjithmonë. Sot ato i përkasin historisë. Shqiptarët janë ende këtu: Me gjuhën, me kujtesën dhe me emrin e tyre. Prandaj, askush të mos ngatërrojë durimin tonë me dorëzimin. Këtij kombi ka kush t’i dalë për zot!
Ne nuk kemi mbërritur deri këtu nëpër rrugë të shtruara me lule. Kemi ardhur përmes sprovave që kanë rënduar mbi breza, përmes dhimbjeve që janë mbajtur brenda mureve të shtëpive dhe sakrificave që nuk kërkuan shpërblim. Në këtë vend, nënat kanë pritur në prag dhe fëmijët janë rritur me emrat e atyre që mungonin. Por bashkë me dhimbjen është trashëguar edhe porosia: Shtëpinë mbaje në këmbë, gjuhën mos e humb dhe dinjitetin mos e dorëzo!
Edhe sot, kur kombi ndihet i tradhtuar, kur besimi është plagosur dhe qytetari pyet se kush mban përgjegjësi, askush të mos nxitojë ta shpallë shqiptarin të mundur. Na dhëmb vëndi ynë, na dhëmb padrejtësia, na dhëmbin shtëpitë që boshatisen dhe fëmijët që kërkojnë larg atë që duhej ta gjenin këtu. Kjo dhimbje ka zë. Ka ndërgjegje. Dhe ka forcën të na bashkojë për t’i dalë zot së ardhmes sonë dhe kombit që po rënkon.
Atdheu nuk është trashëgimia private e askujt. As karrige pushteti, as plaçkë përfitimi, as monedhë pazari. Ai është shtëpia e përbashkët e atyre që punojnë, që rrisin fëmijë, që mbajnë fjalën dhe që kërkojnë të jetojnë me nder. Askush nuk ka të drejtë ta përdorë emrin e kombit, për të mbuluar interesin e vet. Kush merr përsipër të vendosë për këtë vend, duhet të japë dhe do të japë llogari përpara njerëzve të këtij kombi.
Ne dimë të presim miq. U themi: hajdeni, bujrum! Në sofrën tonë ka vend për miqësinë, për respektin dhe për bashkëpunimin. Ndihmën e çmojmë dhe të mirën nuk e harrojmë. Por mikpritja jonë ka një themel të patjetërsueshëm: Në shtëpinë tonë, përgjegjësinë dhe të drejtën për të vendosur i mbajmë vetë. Mikun e presim me zemër të hapur. Zot të shtëpisë nuk e bëjmë!
Askush nuk na tundon dot të shkëmbejmë dinjitetin me një premtim dhe të ardhmen me një përfitim të çastit, nëse ne vetë qëndrojmë besnikë ndaj asaj që na mban bashkë. Çelësat e kësaj shtëpie janë përgjegjësi ndaj brezave. Nuk jepen për rehati, nuk dorëzohen nga frika dhe nuk shiten për privilegje. Kemi detyrimin t’ua lëmë fëmijëve një vend ku fjala e tyre të ketë peshë dhe puna e tyre të ketë vlerë.
T’i dalësh kombit për zot kërkon guxim të përditshëm. Kërkon të thuash të vërtetën kur heshtja të leverdis, të mbrosh të drejtën edhe kur shkelet mbi tjetrin dhe të kërkosh llogari pa u lodhur. Kërkon që përkatësia partiake të mos ta verbojë ndërgjegjen kombëtare. Forca jonë merr kuptim kur bëhet punë, dije, bashkim dhe qëndresë qytetare. Në ato çaste shihet se kush e do atdheun dhe kush vetëm e përmend atë.
Koha ka treguar se ky komb ka lindur, lind dhe do të lindë djem nënash. Djem dhe vajza që nuk pranojnë ta trashëgojnë përuljen, njerëz që marrin përgjegjësi edhe kur ajo kushton me jetën e tyre. Ata janë këtu, mes nesh: Në punë, në shkolla, në familje dhe kudo ku ruhet ndershmëria. Aty është forca që duhet të njohim dhe të mbështesim. Prej saj fillon ringritja.
Le ta mbajmë mend: Pushtetet kalojnë, ndërsa përgjegjësia për këtë vend mbetet. Nuk kemi të drejtë t’ia dorëzojmë dëshpërimit atë që brezat e ruajtën me sakrificë. Sot na takon neve të qëndrojmë, të bashkohemi dhe ta mbajmë fjalën përpara fëmijëve tanë, edhe sikur jeta jonë të jetë në rrezik.
KËTU JANË PËRMBYSUR PERANDORI.
SHQIPTARËT JANË ENDE NË KËMBË.
KËTIJ KOMBI KA KUSH T’I DALË PËR ZOT!
Siç e kam thënë në hapjen e Kuvendit të 5-të të Labërisë, në Gjirokastër:
LABËRIA ËSHTË SI LUANI: KUR ZEMËROHET, TRONDIT EUROPËN!
DHE KUR LABËRISË I BASHKOHET ZËRI I TË GJITHA TROJEVE ETNIKE SHQIPTARE, ATËHERË FLET NJË KOMB I TËRË: ME NJË ZEMËR, ME NJË GJUHË, ME NJË DINJITET!
NGA ÇDO VATËR SHQIPTARE, LE TË DËGJOHET E NJËJTA FJALË: MIQTË I PRESIM ME NDER, LIRINË E MBROJMË ME BASHKIM DHE FATIN TONË E VENDOSIM VETË!
SA TË KETË NËNA SHQIPTARE, KY KOMB LIND DHE DO TË LINDË BIJ E BIJA QË I DALIN PËR ZOT VËNDIT!



