Nën hijen e hetimeve ndërkombëtare dhe skandaleve që kanë përfshirë “4iG”, kompaninë mëmë në Hungari, një rrjet i tërë lidhjesh okulte dhe interesash të ndërthurura mes “One Albania” dhe strukturave të Bashkisë së Tiranës ka dalë në dritë, duke zbuluar një skemë komplekse të ndarjes së fondeve publike, tenderëve të dyshimtë dhe favoreve të ndërsjella institucionale.
Në qendër të kësaj skeme të errët që meriton një hetim të thellë nga organet e drejtësisë, qëndron vendosja e emrit të një rruge në kryeqytet në janar të vitit 2024, e cila u pagëzua me emrin “Istvan Schutz”, në nder të një albanologu hungarez.
Prapa këtij vendimi fshihet një mekanizëm interesash, pasi i biri i albanologut, Gergely Schutz, është emëruar si drejtor në kompaninë “ONE”, duke u bërë njeriu që kontrollon dhe shpërndan buxhetet masive të reklamave.
Këto fonde miliona euroshe derdhen direkt në xhepat e kompanisë “Gogel”, e cila zotërohet nga Arbër Veliaj, vëllai i kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj. Kështu krijohet një lidhje e qartë përfitimi, ku “ONE” e “shpërblen” vëllain e kryebashkiakut me rreth 5 milionë euro në vit si partner kryesor mediatik, ndërsa nga ana tjetër Erion Veliaj “shpërblen” drejtorin hungarez duke i vënë emrin e babait të tij një rruge në Tiranë/cna



