Ish-burgu i Spaçit në Mirditë u kthye të premten në një vend pelegrinazhi dhe kujtese. Pas dekadash, në vendin ku vuajti 12 vite burg gjatë regjimit komunist, u rikthye eminenca e tij Kardinal Ernest Simoni Troshani. Me të mbërritur atje, ai vizitoi ambientet ku ishte mbajtur i burgosur dhe u ndal pranë fotografive të ish-bashkëvuajtësve, duke kujtuar vitet e persekutimit dhe sakrificën e qindra të dënuarve politikë.
Më pas, Kardinali kremtoi Meshën e Shenjtë në oborrin e ish-burgut, në praninë e ish-të përndjekurve politikë, besimtarëve të shumtë, përfaqësuesve të komuniteteve fetare, dhe politikës. Në mesazhin e tij, ai rikujtoi momentin e arrestimit e dënimit si dhe u bëri thirrje shqiptarëve të jetojnë me besim, të jenë më pranë Zotit dhe ta duan njëri-tjetrin.



